Sabaudin Jashari
“Stop konflikteve…” ky ishte elementi kryesor i reformuar nga Nurudin Mahmud Zenki kur deklaroi strategjinë e tij, që do të ndiqte në vazhdim të rrugës së tij, të cilën e kishte filluar i ati i tij Atabek Imadudin Zenki.
Imadudini Ishte i pari turk atabek i perandorisë abasite, që filloi të mobilizonte muslimanët dhe t`i largonte nga kaosi i konflikteve të njëpasnjëshme, në të cilat ishte zhytur perandoria abasite, për t`i bashkuar drejt një qëllimi unik: çlirimin e Kudsit dhe largimin e kryqtorëve nga tokat muslimane.
Rigoroziteti i Imadudinit ndaj qëllimit të tij jo në pak raste e bëri, që të krijonte disa precedentë, të cilët do t`ia vështirësonin shumë përpjekjen e tij drejt këtij qëllimi. Transmetohet se kur rrethoi Balebekun, paria e vendit, dijetarë e mendimtarë i kërkuan besën. Kur Imadudini hyri në qytetin e dorëzuar, në bazë të besës që kishte dhënë, ai e shkeli atë duke urdhëruar, që të gjithë truprojat dhe drejtuesit politikë të qytetit të vriten. Ndër shumë të tjerë që e qortuan, ishte i biri Nurudini, i cili ia bëri të qartë të atit, se për shkak të kësaj vepre të rëndë, tashmë askush nuk do guxonte, t`i zinte besë dhe princat e qyteteve të tjera, jo vetëm që nuk do t`i bindeshin, por do të kërkonin mbrojtje nga kryqtorët pushtues të Kudsit.
“Precedenti çon në precedent i mirë apo i keq qoftë ai”. Këtë e ka theksuar profeti Muhamed (a.s): “Kush bën risi një vepër të mirë merr shpërblimin e veprës së tij dhe të gjithë atyre, që e kryejnë pas tij, pa cënuar shpërblimin e tyre, deri në ditën e Kijametit e kush bën risi një vepër të keqe merr ndëshkimin e saj dhe të gjithë atyre, që e kryejnë atë pas tij deri në ditën e Kijametit, pa cënuar ndëshkimin e tyre” Hadith i saktë.
Kështu ndodhi realisht kur Imadudini rrethoi Damaskun. Valiu i saj sapo u informua, se Imadudini ishte drejtuar drejt Damaskut, menjëherë bëri aleancë me mbretin kryqtor të Kudsit, të cilit i pagoi 200 mijë monedha ari dhe shumë drithëra për të larguar Imadudinin nga muret e qytetit. Precedenti i shkeljes së besës çoi në një precedent tjetër akoma më të rrezikshëm, ai i bashkëpunimit me kryqtorët kundër “armikut musliman”. Normalisht që situata e precedentit të dytë rëndohet edhe më tepër, kur kujton detaje të tjera të kësaj aleance. P.sh: të bën shumë përshtypje fakti se negociatori i kësaj aleance mes valit të Damaskut dhe Mbretit kryqtor të Kudsit ka qenë një nga luftëtarët më trima dhe nga poetët dhe gjuhëtarët më të mëdhenj arab Usame Ibnu Munkidh, për të cilin mbreti kryqtor i Kudsit, kur e shihte e përshkruante me dy cilësitë më kontradiktore: na erdhi miku i shtrenjtë dhe armiku i përbetuar, Usame Ibnu Munkidh.
Problemi ishte, se që të dyja qëndrimet apo precedentët e kishin justifikimin e tyre: Imadudini e përdorte shpatën edhe në qafat e bashkëudhëtarëve të tij për hir të unifikimit dhe çlirimit të Kudsit, por edhe valiu i Damaskut e bëri aleancën me kryqtorët, gjakderdhësit e muslimanëve, në emër të ruajtjes së popullit të tij nga shpata e gjakësorit Imadudin Zenki.
Nurudini, që ishte jo vetëm një drejtues i zoti politik dhe ushtarak, por edhe një diplomat, dijetar dhe asket, e kuptoi se babai i tij kishte harruar gjatë rrugës së tij, se qëllimet e arritura sado që të ishin strategjike dhe jetike, do të jenë shumë të brishta e të paqëndrueshme nëse rruga e ndjekur për tek ta nuk lëshon aromë vlerash. Imadudini, Allahu e Mëshiroftë kishte harruar, se duke vepruar kështu, e kishte kthyer arritjen e qëllimit nga vetë ai, si qëllim në vetvete. Dmth në këtë mënyrë sapo të vdiste Imadudini uniteti i musimanëve do të shkapërderdhej dhe realisht ashtu ndodhi.
Thënë ndryshe, Imadudini gjatë rrugës së tij, kishte harruar të jetë edukator. Pra të edukonte pasuesit e tij me vlerat dhe moralet e larta të rrugës drejt qëllimeve jetike. Imadudinit i interesonte unifikimi dhe çlirimi, ndërsa djalit të tij i interesonte, që me politikën e tij të krijojë dhjetëra dhe qindra Nurudina të tjerë. Madje i interesonte të krijonte një brez të tërë, që qëllimin dhe mënyrën t`i shohin të mishëruara dhe të pandara nga njëra – tjetra.
Këtë e realizoi duke krijuar brezin e Salahudin Ejubit.
Transmetohet se në një kuvend, të mbledhur nga Nurudini, për situatën e krijuar nga vdekja e mbretit kryqtor të Kudsit, u shqyrtua problemi i reagimit ndaj armiqve kryqtorë në këtë situatë. Esedudin Shirko, një nga komandantët e mëdhenj të Nurudinit, këmbëngulte në mendimin e tij, i cili konsistonte në mësymjen e Kudsit dhe shfrytëzimin e situatës politike të rëndë të krijuar në Kuds për shkak të vdekjes së mbretit.
Nurudini, i cili tashmë kishte punuar gjatë me nxënësin e tij, Salahudinin të cilin prej kohësh e kishte bërë pjesë të kuvendit të tij këshillimor, e hedh topin në fushën e Salahudinit duke i kërkuar mendim. Nurudini me këtë donte të tregonte konkretisht, se tashmë kishte filluar të rritet një brez i ri, që besonte thellë se hasmi duhet edukuar dhe jo shkërmoqur e bastarduar. Një brez që tashmë dinte të shfrytëzonte edhe konfliktet më të egra në interes të misionit të edukimit të tjetrit, kushdo qoftë ai, një brez që është I aftë, jo vetëm të fitojë por të fitojë duke edukuar, një brez që besonte thellë se krizat janë situatat më të nevojshme për të reflektuar vlera dhe janë po ato, që provojnë realitetin e nivelit të vlerave.
Sakaq Salahudini nuk e zhgënjeu mësuesin e tij Nurudinin. Jo vetëm që nuk e miratoi mendimin e ungjit të tij, por tha: “Lufta jonë, para se të jetë luftë shpatash, është luftë vlerash dhe moralesh. Nëse ne do të thyejmë shpatat e tyre duke shkelur mbi vlerat tona, jemi barazuar me ta. Prandaj jo vetëm që nuk duhen sulmuar, por propozoj që të dërgojmë një delegacion për ngushëllim dhe për t`i qetësuar se, për sa kohë janë të preokupuar me proçesin e emërimit të mbretit të ri, nuk do të kenë asnjë lloj sulmi nga muslimanët.” Veç kësaj, me delegacionin, Nurudini i dërgon Sibelës, mbretëreshës së ve, një gjerdan i cili kishte rënë në dorën e muslimanëve si plaçkë lufte, të cilin ia kishte dhuruar xhaxhai i saj, perandori i bizantit.
Me këtë lloj shkolle Nurudini bashkoi Shamin e më pas Shamin dhe Egjiptin e në fund, me këtë bashkim, Salahudini realizoi çlirimin e Kudsit.
Imagjino, i thotë Salahudini sekretarit të tij, Abdurrahim Bejsaniut, se ç’do kishte ndodhur, sikur Nurudini të kishte ndjekur mënyrën e të atit, sikur Nurudini të kishte përforcuar precedentin e Imadudinit?! Realisht ëndrra e Kudsit do ishte shuar akoma pa u parë mirë dhe të gjithë pasardhësit e tij do të shihnin metodën më të mirë për predominancë të prerjes në besë dhe tradhëtisë.
Menjëherë pasi erdhi në pushtet, Nurudini u dërgoi letra të gjithë prijësave të të gjithë principatave islame ku u shtjellonte strategjinë vëllazëruese, që do ndiqte në marrëdhëniet me ta. Por kjo nuk ngeli vetëm në letër. Valiut të Damaskut i kërkoi dorën e vajzës së tij Ismetudini Hatun, siç i kërkoi të bënin aleancë për të ruajtur integritetin e tokave të Shamit, gjë të cilën valiu i Damaskut e mirëpriti.
Ajo që tregoi, se standarti që kishte krijuar Nurudini në marrëdhëniet me të tjerët ishte bërë vlerë brezash, ishin dy prej shumë qëndrimeve të Salahudin Ejubit, pas vdekjes së Nurudinit, njëri me muslimanët dhe tjetri me kryqtorët.
Sapo ndërroi jetë Nurudini, disa prej liderëve politikë të Shamit panë terren shumë të volitshëm për t`iu kthyer lakmive të tyre të vjetra për pushtet. Sakaq rrezikohej suksesi i bashkimit i arritur nga muslimanët nën drejtimin e Nurudinit. Por tashmë standarti i krijuar kishte lëshuar rrënjë thellë në popull, i cili nuk ngurroi dhe nuk u vonua t`i shkruante Salahudinit në Egjipt për të ardhur e për të zënë vendin e Nurudinit e për të vazhduar misionin e tij. Nurudini, mësuesi I Salahudinit, e kishte shumë të qartë se nuk është gjithçka të krijosh standarte por tu garantosh atyre jetëgjatësi. Duke pasur parasysh këtë, ai pa si rrugë të vetme lidhjen e tyre me popullin. Frytet e ëmbla të standarteve të krijuara nga liderët vyshken shumë shpejtë me kalimin nga një dorë tek tjetra nëse nuk ushqehen vazhdimisht nga rrënjët e zhytura thellë në popull, të cilat furnizohen pandërprerë me besimin në to dhe përgjegjësinë, hyjnore, për të sakrifikuar për hir të tyre. Për këtë, reformat kryesore të Nurudinit kishin si fushë institucionet shoqërore, apo shoqërinë civile siç thuhet sot, arsimin, dijetarët, shkollat, universitetet, ekonomia, siguria, shëndetësia, familja… etj.
Salahudini, pas vdekjes së Nurudinit, ndodhej në të njëjtën situatë me atë të Nurudinit kur u bë mbret. Situatë e vështirë e krijuar nga hasmi “musliman” interesaxhi. Sakaq Salahudini, i edukuar nga mësuesi i tij, u tregua i gatshëm, t`u plotësonte lakmitë e tyre për të qenë valinj, por pa cënuar qëllimin kryesor, Kudsin. Të nxitur nga mendimi, se kjo që po bën Salahudini është dobësi, e detyruan të hynte në një përplasje ushtarake pas fitores të së cilës përsëri, pa u luhatur, i fali kundërshtarët e tij lakmitarë.
Kur kryqtorët po linin Kudsin, pas betejës së humbur, Kardinali i Kudsit doli me thesarët e tij të ngarkuar në karroca dhe kuaj, duke thyer ligjin që kishte vënë Salahudinin, I cili thoshte se çdo njeri duhet të dilte vetëm me paratë e udhëtimit. Ky Kardinal që për vite kishte mbajtur këtë titull në emër të popullit, nuk arriti të mposhtë koprracinë e tij as sa për të liruar qoftë edhe një prej qytetarëve të tij, të cilëve Salahudini u kishte vënë nga dhjetë dinar gjobë për të liruar veten nga robëria dhe të cilët u liruan nga paratë e vetë Salahudinit, princave dhe komandantëve të tij. Kur nipi i Salahudinint e pa këtë skenë, pra thesarët e kardinalit, tentoi ta ndalonte. “Lëre, i tha Salahudini. Nuk dua që ferenxhat të thonë, se Salahudini dhunoi të madhin tonë. Le të gjykojë vetë populli i tij për veprën e tij”. Një nga historianët perëndimor, pjesëmarrës në ngjarje, thotë: “ Atë vlerë që i takonte kardinalit ta përfaqësonte me vepren e tij, ua mëson Salahudini kryqtorëve deri në Ditën e Gjykimit.” Pa përmendur këtu karshillëkun e refuzuar nga Salahudini ndaj asaj, që bënë kryqëtorët kur hynë në Kuds, shtatëdhjetë mijë të vrarë e të therur.
Pra Salahudini nuk futi në Kuds thjesht një triumfator, por një fitimtar e edukator miqsh, armiqsh e popujsh.
Princi Balian përballë këtij modeli të paprecedent në historinë e tij, ndër të tjerash, e përshkruan Salahudinin: “Ke për t`i futur në siklet ata, që do vijnë pas teje, sepse popujt vazhdimisht do të bëjnë analogji”
A ia vlen, që me këtë model të maten dhe të vlerësohen ngjarjet…..? Mendoj se ia vlen…
Allahu te shperblefte, ne historine e Islamit duhet te kthehemi vazhdimisht per te gjetur vlerat tona te humbura dhe per t'i rikthyer ne jete se bashku me modelin e Profetit tone te dashur alejhi selam. Muslimanet nuk duhet te harrojne dhe ne duhet te vazhdojme ne gjurmet e me te mireve tane. Allahu na falte e na udhezofte.
PërgjigjuFshije