(Grupi Islamik është fronti i CIAs, thotë ish-shefi i inteligjencës turke.)
Jeff Stein
Kujtimet e një ish zyrtari të lartë të shërbimeve sekrete turke pretendojnë se një lëvizje e moderuar islamike me shtrirje në tërë botën dhe me bazë në Pensilvania ka ofruar mbulim për operacionet e CIAs qysh nga mesi i viteve 1990.
Kujtimet, që mund të përkthehen si “Dëshmitar i Revolucionit dhe pranë anarkisë,” nga zyrtari i dalë në pension i shërbimeve sekrete turke, Osman Nuri Gundes, thotë se kjo lëvizje e tolerancës fetare, e udhëhequr nga një ish imam turk i quajtur Fetullah Gylen, ka 600 shkolla dhe 4 milionë pasues në gjithë botën.
Sipas një raporti mbi kujtimet e tij nga gazeta pariziane Intelligence Online, Gundes pretendon se në vitet ’90, kjo levizje “i dha strehë 130 agjentëve të CIAs” në shkollat e veta në Kirxhikistan e Uzbekistan pa llogaritur tjetërkund.
Libri është kthyer në sensacion në Turqi qysh nga botimi i tij muajin e kaluar.
Gyleni nuk mund të kontaktohej për të komentuar.
Por dy ish zyrtarë të CIAs hedhin dyshime mbi akuzat e Gundes.
Ish operativi i CIAs, Robert Baer, shef i operacioneve të CIAs në Azinë Qendrore dhe Kaukazët nga viti 1995 gjer më 1997, i quajti akuzat si të rreme. “CIA nuk kishte ‘agjentë’ në Azinë Qendrore gjatë shërbimit tim,” tha ai.
Është e mundur, pranoi Baer, që CIA “të ketë bërë këtë gjë pas largimit tim,” por vetëm agjensia e spiunazhit mund të përgjigjet me siguri për këtë cështje, dhe CIA nuk komenton mbi burimet dhe metodat e operacioneve.
Një zyrtar amerikan i spiunazhit, duke folur me kusht që të mbetet anonim, tha gjithashtu se “të dhënat [e Gundes] nuk më duket t’i kem dëgjuar më parë.”
Gjithashtu, Graham Fuller, ish shef i CIAs për Kabulin dhe autori i librit “E ardhmja e Islamit Politik,” hodhi poshtë pretendimet e Gundes rreth Kirxhikistanit dhe Uzbekistanit.
“Mendoj se historia e 130 agjentëve të CIAs në shkollat e Gylenit në Azi është e sajuar,” tha Fuller nëpërmjet një e-maili.
“Më duhet të nxitoj dhe të them se unë u largova nga CIA në vitin 1987 – gati 25 vjet më parë – dhe absolutisht nuk kam dije personale konkrete rreth kësaj cështjeje. Por instikti im më thotë se vështirë të jetë e vërtetë.”
Fuller shtoi, “Nuk mundem të imagjinoj si të besueshme një skemë të tillë brenda agjencisë [CIAs]. Sa për Nuri Gundes nuk jam i njohur se kush është dhe cfarë ka shkruar. Megjithatë ka shumë teori që qarkullojnë në Turqi rreth këtyre gjërave dhe Gyleni është një cështje që tërheq vëmendje.”
Imam Gyleni, “idetë e të cilit janë kryesisht pranë politikës amerikane,” sipas Intelligence Online, favorizon tolerimin e të gjitha feve, duke vënë fenë e tij në konkurencë të hapur me al – Kaidan dhe grupe të tjera radikale në përpjekjen për të fituar zemrat e myslimanëve në Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme si dhe në Evropë e Afrikë ku ka shtrirë influencën e vet.
Gundes, i cili ishte kreu për Stambollin i agjencisë së spiunazhit turk, MIT, “personalisht drejtoi disa investigime për lëvizjen e Gylenit në vitet ’90,” sic bën të ditur raporti i gazetës për kujtimet e tij, që nuk është përkthyer në anglisht. Qëllimi i investigimit të Gundes nuk është komplet i qartë. Nuk janë të qarta as qëndrimet e tij fetare, por influenca e grupeve islamiste në Turqi u rrit në vitet ’90.
Imami u largua nga Turqia në vitin 1998 dhe u vendos në Salylorsburg, në Pensilvani të ShBA ku lëvizja ka qendrën e vet. Sipas Intelligence Online, ai fitoi statusin e rezidencës vetëm në vitin 2008 me ndihmën e Fuller dhe George Fidas, i cili përshkruhet si kreu CIAs për kontaktet me universitetet.
Fuller thotë që kjo nuk është e vërtetë.
“I did not recommend him for a residence permit or anything else. As for George Fidas, I have never even heard of him and don't knoë ëho he is.”
“Unë nuk e rekomandova atë për residencë apo ndonjë gjë tjetër. Sa për George Fidas, nuk kam dëgjuar ndonjëherë për të dhe nuk e di se kush është.”
“Cfarë unë bëra,” shpjegon Fuller, “ishtë se shkruajta një letër FBI – së në fillim të 2006 … në kohën kur armiqtë e Gylenit po bënin presion që ai të ekstradohej në Turqi nga ShBA. Në klimën pas 11 Shtatorit, ata filluan të përhapin fjalë se ai ishte një radikal i rrezikshëm. Në shënimin tim drejtuar FBI-së ofrova mendimin tim … se nuk besoja se ai përbënte rrezik sigurie të cfarëdo lloji ndaj ShBA – së, sic është rasti i shumë dijetarëve në Islamin bashkëkohor.
“Unë nuk e konsideroj Gylenin të jetë radikal apo i rrezikshëm,” shton Fuller. “Me të vërtetë, sipas mendimit tim – dhe unë kam studiuar shumë lëvizje islamiste në të gjithë botën, lëvizja e tij është një nga më inkurajueset në termat e evolucionit të mendimit politik dhe social bashkëkohor islam…”
Fidas nuk mund të kontaktohej për të komentuar e as CIA nuk ju përgjigj pyetjeve rreth tij. Shkolla Elliot për Cështje Ndërkombëtare në Universitetin George Washington e liston atë si profesor vizitues dhe “Drejtor për Kontatin në Zyrën e Asistentit të Drejtorit për Analizën dhe Prodhimin në Inteligjencën Qendrore.”
Por ky titull u anullua kur u krijua disa vite pë parë posti i Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, sic një burim i mirëinformuar më njoftoi.
Marrë nga Washington Post, 5 Janar 2011.
Nuk ka komente:
Posto një koment