Editorial, The Guardian 23 Janar 2011
Dikur Gerald Kaufman e përshkruante manifestin e laburistëve të vitit 1983 si letra më e gjatë e vetëvrasjes në histori. Nëse ndonjë takëm dokumentesh do ta meritonte ndonjëherë këtë epitet, ky është sigurisht ai që botohet sot në Guardian. Shkruar nga zyrtarët palestinezë, rënë në dorë të Al Jazeera-s dhe ndarë me The Guardian, letrat në fjalë përbëjnë dosjen sekrete të 10 viteve përpjekjesh për të gjetur një marrëveshje paqeje me Izraelin.
Vështirë të vësh gishtin mbi atë që shquhet për më keq : udhëheqësit palestinezë, të dobët, frikacakë dhe të etur për të mbuluar bashkëbiseduesit e tyre me komplimente ; izraelitët, që mbeten të sjellshëm në fjalë, por përçmues në vepra ; apo amerikanët, paanësia e të cilëve konsiston në shtrydhjen e të dobëtit dhe përkrahjen e të fortit. Të gjithë së bashku komplotojnë për ndërtimin e një shteti kukull në Palestinë, në rastin më të mirë autoritar, në më të keqin një surrogatë të forcës pushtuese. Qoftë edhe për të krijuar këtë formë varësie, palestinezët duhet të shesin unazat e gjyshes. Saeb Erekat, kryenegociatori i OÇP, në një moment katandiset të përgjërohet për një gjethe fiku : ‘Për çfarë shërbej atëherë nëse katandisem që të më përqeshë edhe gruaja, nëse jam kaq i dobët’, i thotë ai George Mitchell-it, të dërguarit të Barack Obama-s në Lindjen e Mesme.
Lëshimet palestineze s’kanë të sosur. Kolonitë izraelite përreth Jeruzalemit Lindor ? Shiten ; dy vite më parë për një hartë që i mundëson Izraelit të aneksojë gjithë kolonitë përveç njërës, Har Homa-s. Z. Erekat e quajti këtë Jerushalajmin më të madh në histori (duke përdorur fjalën Jeruzalem në hebraishte). Ish-Ministrja e Punëve të Jashme të Izraelit, Tzipi Livni, e vlerësoi dhimbjen palestineze, por e refuzoi ofertën. Gjithsesi, Izraeli nuk ka nevojë për lëshime. Në Gilo-n e pushtuar, Izraeli sot ndërton pa fré.
Haram el Sherifi, vendi i tretë më i shenjtë në botën myslimane ? Edhe ai është vënë në tryezë për grabitje. Z. Erekat tha se ishte i përgatitur të merrte parasysh ‘mënyra kreative’ për të zgjidhur problemin e Haram el Sherifit ose Tempullit.
Dorëzimi i tokës ku palestinezët kanë jetuar për shekuj nxit kërkesa të tjera. Izraeli nuk do vetëm gjithë Jeruzalemin Lindor, Har Homa-n dhe blloqet kolone të Ariel-it dhe Ma’ale Andumim-it, të cilat i shkulin Cisjordanisë troje strategjike. Izraeli nuk këmbëngul vetëm për një shtet të paarmatosur. Por Izraeli kërkon nga udhëheqësit palestinezë të nënshkruajnë për asgjesimin e së ardhmes së tyre. Kur z. Erekat e pyeti znj. Livni : ‘Në mungesë të avionëve tuaj në qiellin tim dhe ushtrisë suaj në tokën time, mundem vallë të zgjedh ku ta siguroj mbrojtjen e jashme ?’. Ajo u përgjigj : ‘Jo. Për të ndërtuar shtetin tuaj, duhet më parë që ju të bini dakord me Izraelin – duhet të zgjidhni faktin se nuk do të keni të drejtë zgjedhjeje më pas. Këto janë shtyllat kryesore’.
Përpara se politikani ekstremist Avigdor Lieberman të ngrihej në fuqi, letrat tregojnë se Izraeli kërkoi që disa prej qytetarëve të tij arabë t’i transferoheshin shtetit të ri palestinez. Që prej kësaj kohe, shkëmbimet e popullatave midis shteteve janë bërë pjesë e debateve kryesore në Izrael, por askush nuk po i pyet qytetarët arabë të Izraelit. Sambisti i diskotekave moldave, është bërë vallë ndërkaq më izraelit ? Apo është Izraeli ai që sillet tashmë si sambist diskotekash moldave ?
Lypet optimizëm panglosian për të besuar që këto negociata do të ringjallen një ditë. Nëntëmbëdjetë vite për të rivizatuar kufinjtë e vitit 1967, për të zgjeruar sinoret e Jeruzalemit, për të kundërshtuar pranimin e kthimit të refugjatëve palestinezë dhe për t’u përgjëruar për një gjethe fiku, e kanë njollosur konceptin e paqes.
Autoriteti i Palestinës mund të vazhdojë të mbetet i punësuar, por që nga dita e sotme, legjitimiteti i tij si negociator është përmbyllur përfundimisht në rrugët e Palestinës. Zgjidhja për dy shtete në vetvete mundet ndërkaq të ketë dhënë shpejt shpirt bashkë me të.
Amerika të tërheqë veton e saj ndaj bisedimeve për bashkimin e palestinezëve dhe të pranojë propozimin e Hamasit për një armëpushim një-vjeçar. Një ekip negociator që përfaqëson gjithë ndarjet politike palestineze lypet të formohet dhe Izraeli të pranojë se një shtet i krijuar në kufinjtë e vitit 1967, dhe jo përreth tyre, është çmimi më të vogël për fundin e konfliktit. Alternativa është se kanceri i vazhdimit me zgjidhjen e një shteti të vetëm do të rritet dhe do të përgatisë luftën tjetër. Askush nuk do të presë gjatë për të.
Shqipëroi : Nermin Begzade
Nuk ka komente:
Posto një koment