e shtunë, 29 janar 2011

NGA REVOLUCIONI PORTOKALLI TEK AI I BLOGERS-VE


Bledar Komini


Kishte kohë që bota nuk ndiqte me kaq vëmendje një evoluim kaq të papritur të situatave ndërkombëtare, të cilat si një valvul presioni u përhapen me të shpejtë nga një skaj në tjetrin. Tashmë nuk bëhet fjalë as për revolucion marksist, leninist, trockist, anarkist, të kadifenjtë apo portokalli; thjesht bëhet fjalë për revolucionin e internetit dhe blogers-ve (apo Facebookut).


Revolucioni portokalli në Ukrainë erdhi si pasojë e kushteve dhe lëvizjeve të krijuara në vendet e Evropës Lindore pas shpërbërjes së ish-BS në vitet 90’. Tipar kryesor i këtyre lëvizjeve ishte përmbysja e regjimeve pa gjakderdhje dhe me përkrahjen politike e financiare të perëndimit. Pas përfundimit të luftës së ftohtë Amerika me ndihmën e disa aleatëve të saj evropianë filloi shfrytëzimin e një metode të re për shtrirjen e ndikimit të saj në vendet që më parë ishin nën ndikimin e ish-BS. Në këtë kuadër ndryshoi edhe roli i shërbimeve agjenturore dhe informative amerikane në procesin e ndërhyrjeve të Uashingtonit në këto vende. Në këtë strategji një rol të rëndësishëm luajtën mediat dhe organizatat joqeveritare. Partitë dhe politikanët pro-perëndimorë në vendet e Evropës lindore u bënë faktorë të zbatimit të strategjisë së SHBA. Të gjitha vendet kanë probleme politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Mediat dhe OJQ kishin për detyrë që, duke shfrytëzuar pakënaqësinë popullore të inkurajonin forcat opozitare të mobilizoheshin kundër forcave në pushtet. Shumica e këtyre mediave dhe OJQ në mënyrë të hapur a të fshehtë financoheshin dhe përkraheshin politikisht nga qeveria amerikane. Ish-republikat sovjetike ishin vendet e para ku u eksperimentua kjo strategji e re e SHBA. Në zbatimin e kësaj strategjie, principi i organizimit të zgjedhjeve kishte rëndësi tepër të madhe. Zhvillimi i zgjedhjeve është një rast i mirë për mobilizimin e opozitarëve dhe kritikëve të qeverisë për të sjellë në pushtet partitë dhe politikanët pro-perëndimorë.

Nëse grupet pro-perëndimore nuk arrinin të fitonin numrin e nevojshëm të votave, hidheshin pretendime për manipulim të zgjedhjeve, organizoheshin protesta dhe manifestime dhe qeveria detyrohej të organizonte zgjedhje të reja. Të gjitha këto taktika u vërejtën qartë në revolucionet me ngjyra në Gjeorgji, Ukrainë dhe Kirkizistan. Me këtë metodë u përmbys në vitin 2003 ish-presidenti i Gjeorgjisë Eduard Shevarnadze. Mikail Sakashvili i cili ishte diplomuar në universitetet amerikane, mobilizoi opozitarët dhe e akuzoi qeverinë e Shevarnadzes për manipulim të zgjedhjeve parlamentare dhe me anë të manifestimeve masive opozitarët arritën të kontrollojnë parlamentin dhe e detyruan Shevarnadzen të japë dorëheqje. Me organizimin e zgjedhjeve presidenciale Sakashvili arriti në pushtet me sloganet për distancimi nga Rusia dhe për integrimin e Gjeorgjisë në NATO dhe BE. Një vit më vonë ky skenar u përsërit edhe në Ukrainë. Ish-presidenti ukrainas Leonid Kuçma përfundoi dy mandate presidenciale. Ai gjatë 10 viteve të presidencës së tij u përpoq të zhvillonte marrëdhënie të ekuilibruara me Rusinë, por Amerika dëshironte të zvogëlonte në minimum ndikimin e Rusisë në Ukrainë dhe të krijonte kushtet për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Pas përvojës në Gjeorgji, Amerika filloi të investojë për përgatitjen e politikanëve pro-perëndimorë në Ukrainë. Një prej këtyre ishte Viktor Jushçenko, i cili për një kohë kishte jetuar në SHBA dhe bashkëshortja e tij ishte me nënshtetësi amerikane.


Viktor Jushçenko me sloganet për luftë kundër korrupsionit dhe për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe BE u radhit përballë Viktor Janukoviçit i cili kishte prirje pro-ruse. Në zgjedhjet presidenciale fitues doli Janukoviç, por Jushçenko duke pretenduar se zgjedhjet ishin të manipuluara, mobilizoi përkrahësit e tij për ditë dhe netë të tëra në rrugët e Kievit në temperatura -20 gradë celsius dhe më në fund zgjedhjet u shpallën të pavlefshme. Pas organizimit të zgjedhjeve të reja presidenciale Jushçenko u zgjodh në postin e presidentit. Gjatë 5 viteve të mandatit presidencial të Jushçenkos populli i Ukrainës nuk vërejti ndonjë ndryshim në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe korrupsioni mori përmasa edhe më të gjera në këtë vend, ndërsa kushtet ekonomike të popullit u përkeqësuan. Ekonomia e këtij vendi në vitin 2009 pësoi një rënie prej 15%.

Prej kësaj kohe u duk sikur gjërat u stabilizuan dhe koha e revolucioneve në këtë shekull të ri po perëndonte. Sakaq në mënyrë të beftë, në fillim të janarit shpërthyen demonstratat në Tunizi, ku mjeti i vetëm i organizimit dhe propagandës së të rinjve ishte interneti. Fillimisht protestuesit kërkonin përmirësimin e jetës ekonomike dhe uljen e çmimeve dhe më pas, duke parë papërgjegjshmërinë e qeverisë, kërkuan largimin e saj me në krye Ben Ali-un. Ky i fundit u largua vetëm kur pa se askush prej mbështetësve të vjetër të gardës ushtarake nuk e përkrahu. Bashkë me të, në çarterin me të cilin fluturonte, arka të tëra me shufra ari udhëtonin drejt destinacionit të Arabisë Saudite.

Nga Egjipti në Jordani duke përfshirë Jemenin, "Revolucioni i jaseminit", siç e quan ndryshe TRT-ja, po fillon të prekë regjimet arabe që mbahen që prej dekadash falë darës së frikës. "Pas Tunizisë, nuk është më çështja: kush e ka radhën, por cili regjim do të qëndrojë akoma? Kemi të bëjmë me një tendencë të vërtetë rajonale, në Egjipt, Algjeri, Jordani, Jemen, ku qytetarët dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre sociale, ekonomike dhe politike", shprehej Amr Hamzay, drejtor shkencor i fondacionit Carnegie në Lindjen e Mesme, sipas të cilit manifestimet popullore mund të përhapen në pjesën më të madhe të vendeve arabe, me përjashtim të monarkive të naftës të Gjirit Persik.

"Ajo që ndodhi në Tunizi theu hallkën e frikës dhe tregoi se është e mundur, me një shpejtësi të habitshme, të përmbyset një regjim dhe se nuk është kaq e vështirë sa mund të imagjinohej", shtoi Ghaliun, drejtor i Qendrës Studimore për Lindjen Bashkëkohore, CEOC, në Paris.

Prej vitit 1981, kur Mubarak erdhi në pushtet duke zëvendësuar Anuar el-Sadatin e vrarë gjatë një ceremonie të thjeshtë, ai ka sunduar duke përdorur të gjitha mjetet e mundshme. Edhe pse këto protesta nuk janë të parat që organizohen në Egjipt, prej mëse 30 vjetësh, opozita nuk e ka gjetur vendin e saj as në parlament dhe as në shesh. Me një dhunë policeske dhe ushtarake të pashoqe, por për hir të politikave ndërkombëtare dhe gjeopolitikave rajonale të mbështetur prej SHBA, Hosni Mubarek ja doli të fitonte sërisht në zgjedhjet e fundit. Por, vala e protestave “shfronësuese” që nisi në Tunizi, duket se nuk do të kursej as Egjiptin. Prej fillimit të javës, protestuesit me dy gishta të ngritur lartë dhe me britmat “ik”, “ik”, kërkuan largimin e Presidentit Mubarak nga posti që ai mban prej më shumë se tri dekadash. Ata madje, kundërshtuan edhe idenë e tij për të bërë ndryshime rrënjësore në kabinetin qeverisës. Kërkesa e tyre ishte e thjeshtë dhe kufizohej në dy gërma “IK”.

Ethet në të njëjtën kohë kanë prekur edhe Jemenin, ku mijëra persona manifestuan dje për të kërkuar largimin e presidentit Ali Abdallah Saleh, në pushtet që prej 32 vjetësh, ndërkohë që në Jordani, të paktën 3 000 persona manifestuan në Aman, për të protestuar kundër çmimeve të larta dhe politikës ekonomike, duke kërkuar një ndryshim qeverie dhe reforma. Madje në disa vende, liderët kanë filluar të bëjnë sakrificën e duhur për të shmangur dështimin, si në Jordani ku mbreti Abdallah II premtoi se "do të ecet përpara" me reformat politike dhe ekonomike, apo në Jemen, ku presidenti Saleh siguroi se nuk parashikon t'ia lërë pushtetin të birit.

Siç duket historia do të përsëritet sërish, ashtu siç shekulli i kaluar filloi me revolucione, edhe ky shekull e hapi siparin sërisht në të njëjtën mënyrë. Pyetja më konkrete në këto momente është: kush e ka radhën pas Tunizisë dhe Egjiptit?

Nuk ka komente:

Posto një koment