e diel, 23 janar 2011

Tunizia dhe Tirana

Elton Hatibi
Në një vështrim të përgjithshëm mbi krizat që kanë përfshirë dy vendet shihet qartë se mbështetja e Perëndimit ndaj planimetrisë politike të këtyre dy vendeve ka dështuar. Flasim sigurisht për realitete që kanë në origjinë specifika të ndryshme historike, sociale e kulturore. Edhe motivet, dinamikat dhe perspektivat e këtyre krizave janë shumë të ndryshme. Ndërsa në Tunizi po fillon shkallmimi i regjimeve tiranike të instaluara kudo në Lindjen e Mesme, fillesat e të cilave nisin në periudhën post-koloniale, në Shqipëri ka shpërthyer edhe një herë qelbi politik, i cili origjinën e sëmundjes e ka në fundin e Luftës së Dytë Boterore. Në të dy rastet, kumbari politik i këtyre regjimeve, të cilat vetëm transformohen sipas rrethanave, por vetëm dhunë kutërbojnë, është Perëndimi.

Shumëkujt i kujtohet vizita simbolike e ish-sekretarit të shtetit Amerikan në Tiranë, e cila u shoqërua me një pritje të pazakontë nga qytetarët shqiptarë, që shihnin tek kjo vizitë garancinë se Perëndimi po i mbështet. Regjimi ndryshoi vërtet, por përfituesja më e madhe e kësaj garancie ishte kasta e vjetër gjakatare, e cila çuditërisht nuk pësoi asnjë pasojë nga ky ndryshim. Kjo garanci u vulos ditën e ndryshimit formal të pushtetit, kur përfaqësuesi diplomatik i të njejtës superfuqi shqiptoi shprehjen lapidare “të gjithë fajtorë, të gjithë bashkëvuajtes”! Me këte shprehje u varros një herë e mirë mundësia që në Shqipëri të rivendosej drejtesia e përdhunuar gjatë regjimit stalinist.

Që nga ajo kohë e deri në këto orë, në të cilat po gatuhen skenarë ogurzinj për shqiptarët, në Shqipëri janë përplasur për pushtet fraksionet e ish-regjimit komunist. Kapriçot dhe rivalitetet shpesh kanë degjeneruar deri në luftë civile, por asnjeherë nuk kemi parë që pas akteve kriminale ndaj rendit kushtetues të jenë dënuar organizatorët. Në dhè, në burgje dhe në mërgim kanë përfunduar vetëm ushtarët e klaneve ose civilët e rastit. Kur akuzat dhe aksionet e ndërsjellta ndërmjet “vëllezerve” mbërrijnë deri në skaje, ngjarjet rrjedhin, siç e thotë shprehja popullore, sipas teknikës “i yti mishin ta ha, kocken ta ruan”.

Në Tunizi, askujt nuk i shkonte ndërmend se ndonjë funksionar i lartë perëndimor do të vendoste këmbën për të mundësuar që rregjimi të ndryshonte. Përkundrazi, ishte revolta popullore ajo që e largoi tiranin nga sytë këmbët drejt sivëllezërve. Vendet e Perëndimit, mbështetëse të regjimeve shtypëse të Lindjes së Mesme, u gjendën të papërgatitura nga rrebeshi i revoltës popullore. Shumë prej zyrtarëve perëndimorë mbajtën qëndrim të paqartë ndaj kësaj historie ndryshimi në vendin arab dhe u përpoqen ta minimizojnë fenomenin. Në ndryshim nga revolucionet e vendeve të ish-Bllokut Lindor, ku mbështetja e Perëndimit ishte shumëplanëshe dhe me rezultate radikale, në Tunizi bëhet thirrje për ndryshime graduale.

E përbashkëta midis Shqipërise dhe Tunizisë është se kanë përjetuar diktatura gjakatare, paçka se me ideologji të ndryshme. Ne, shqiptarët, natën e errët të komunizmit e kemi hedhur pas shpine, megjithëse retë e zeza të së njëjtës materie enden ende mbi kokat tona. Tunizianët sapo e kanë hedhur tej perden e zezë të diktaturës, por nuk janë ndalur vetëm te ky gjest. Prej ditësh, në mënyrë gjithnjë e më të vendosur kërkojnë që garda e vjeter e besnikëve të Ben Aliut të shporret nga jeta politike. Një kërkesë mëse legjitime e shoqërise tuniziane për të kryer një ndarje radikale me të kaluarën e hidhur gjysemshekullore. Megjithëse regjimi i kalcifikuar shtypi çdo liri dhe organizim opozitar, një popull me dinjitet di të artikulojë një qëndrim parimor dhe di t’i qëndrojë politikisht këtij parimi edhe pse diktatura nuk ka rënë ende plotësisht.

Në Shqipëri, pas vitit 1990, megjithëse në krye të lëvizjes demokratike u instaluan dukshëm njerëz të regjimit që po ikte, populli opozitar, i dehur nga ndryshimi, nuk pranonte asnjë kritikë ndaj tyre. Shqiptarët, viktima të regjimit më stalinist në Evropë, pas zërave kritikë gjithnjë e më të mekur që mbronin idenë se udhëheqësit e rinj ishin në fakt të vjetër, shihnin hijen e kudondodhur të sigurimit të shtetit. Kështu, aktin e parë të organizuar të dhunës, regjimi i ri demokratik e ushtroi ndaj kritikëve të tij të rinj, pikërisht mbi ata me të vuajturit e regjimit të vjetër. Kujtojmë këtu shpërndarjen e dhunshme të grevave të urisë të të persekutuarve dhe të pronarëve legjitimë. Pasi i lau duart njëherë e mirë edhe me mbështetësit e kësaj shtrese brenda strukturave të veta ne vitin e zi 1997, zërat kritikë të këtij pseudo regjimi demokratik erdhën gjithnjë e duke u zbehur.Tashmë, 20 vite më pas, në një indeks vlerësimi të cituar kohët e fundit, Shqipëria quhet demokraci hibride.
Përse nuk ndodh sot në Tunizi që kritikët e regjimit diktatorial, ata që duan që të shkrihen strukturat dhe të shporren bashkëpunëtorët e diktaturës, të quhen spiunë të shërbimeve sekrete, sikurse ndodhi te ne në vitet ‘90? Si është i mundur një qëndrim kaq energjik ndaj diktaturës që ende nuk ka rënë krejtësisht, dhe që për më tepër vazhdon të shkaktojë viktima?

Diktatura tuniziane, megjithëse për më shumë se gjysmë shekulli ushtroi terror ndaj popullit të saj, megjithëse mbështetja e plotë nga jashtë nuk i mungoi kurrë, qoftë nga vendet arabe me regjime të ngjashme, e qoftë nga aleancat gjysmë të heshtura me Perendimin, nuk po arrin ta mposhtë shpirtin e lirë dhe vetëdijen politike të tunizianëve.

Edhe pse shumë opozitarë përfunduan pas hekurave ose në mërgim, sidomos ata me bindje fetare, strukturat e artikulimit opozitar ndaj regjimit diktatorial nuk u braktisen. Këtu, një rol të dorës së parë në këtë qëndresë shembullore e ka luajtur besimi në Zot. Besimi se ndryshimi brenda vetes sjell rrjedhimisht ndryshimin përreth. Besimi se e verteta patjetër do të triumfojë. Edhe pse regjime të tilla i tjetërsojnë të vërtetat, i shpërfytyrojnë realitetet, përsëri shpirti dhe ideali i pastër njerëzor dinë të depërtojnë përtej demagogjisë dhe karikaturave. Një rol të ngjashëm ka luajtur besimi fetar edhe në zhdërvjelltësinë e opozitarizmit gjatë rezistencës ndaj tiranisë dhe mposhtjes së saj në Poloninë komuniste.

Ne, si shqiptarë, nuk e patëm shansin që ta shihnim diktaturën në sy. Etërit tanë, nga verbëria ndaj modernizmit në fillim të shekullit 20, ia hapën atij derën dhe u nënshtruan ndaj tij si ndaj një feje të re magjepsëse. Dhe kur ky modernizëm u shfaq në formën e tij më të egër, imuniteti shoqeror ishte shkatërruar. Suksesi më i madh i komunizmit në Shqipëri nuk qe marrja e pushtetit me bekimin e Aleatëve, as zhdukja me gjak e opozitarizmit, as strukturimi ekonomik dhe shoqëror sipas oreksit të tij, por prishja me dhunë e strukturës së mbetur të besimit fetar ndër shqiptarë.

Kjo mungesë besimi i mundësoi “antikrishtëve” të mbilln modelin e tyre të së vërtetës tek njerëzit dhe si rezultat, mpirjen shpirtërore, vulgaritetin, sipërfaqësinë e me rradhë antivlerat sipas zërave në fjalorin universal të njerëzimit. Këto antivlera, si në ato skicat e punëdores të dizenjuara për fëmijë, u ngjyrosën në të gjithë realitetin shqiptar të pasdiktaturës në format me spektakolare. Trysnia e elitave postkomuniste ndaj besimtarëve të brishtë është në fakt dhuna ndaj të vetmes opozitë potenciale reale në këtë shoqërinë tonë të përçudnuar. Konflikti tjetër në shoqërinë tonë, siç çdokush e sheh rëndom, është për plaçkë lufte. Mungesa e besimit fetar tek shqiptarët, e cila ende reflekton në çdo qelizë të shoqërisë sonë, e sponzorizuar të mbesë në këtë gjendje edhe nga Perëndimi, do t’i kushtojë shqiptarëve cikle krizash dhe dhune konstante, deri sa ta lejojë Zoti.

2 komente:

  1. Nje bravo e madhe per Hatibin e madh (kjo jo vetem se eshte me i madh ne moshe se ai tjetri). Shkrime me te tille nerv ende nuk mund te botohen ne mediat e rendomta dhe te burgosura te Shqiperise mjerane postfashiste. Madje eshte e vertete se te pakten qe prej instaurimit te Zogollit ne fundvitet 20,nuk ka pasur mundesi as majtas apo dhe mjathtas, qe te publikosh shkrime te forta ne drejtim te gjithe klases politike te vendit,dhe kjo ne cdo periudhe histo(e)rike qe prej asaj kohe.

    E.SH

    PërgjigjuFshije
  2. Nje sqarim per Enean. Autori i shkrimit te mesiperm nuk eshte Ervin Hatibi, por Elton Hatibi, i cili ka kontribuar dhe me pare ne kete blog. Shiko
    http://e-zani.blogspot.com/2010/12/e-shenjta-dhe-profania-ne-xhamine-e-re.html

    PërgjigjuFshije