e shtunë, 22 janar 2011

Shqipëria përballë një krize të vjetër


E-Zani

Bashkëpunëtorët dhe redaksia e blogut “e-zani i lartë” kanë përjetuar me shqetësim të madh ngjarjet e fundit të dhimbshme në Tiranë, ku pas një demonstrate antiqeveritare pati 3 protestues të vrarë dhe dhjetëra të plagosur prej rradhëve të protestuesve dhe forcave të rendit. Fjalët tona të para mbi këtë ditë zije, janë ato të trishtimit dhe revoltimit për jetët e humbura, për të plagosurit, ngushëllimet për të afërmit e viktimave.

Duke dënuar pa asnjë hezitim dhunën e shëmtuar kundër forcave të rendit, shkatërrimin e pronës private dhe publike prej një pjese të protestuesve, bashkëpunëtorët dhe redaksia dënojnë me forcë përdorimin e papërgjegjshëm të zjarrit nga makina shtetërore, mes të cilit kanë humbur e jetën e janë plagosur qytetarë, shumica e të cilëve ishin në dukje të paarmatosur dhe në dukje të papërfshirë në ndonjë flagrancë që të përligjte goditjen e tyre me municion luftarak. Nëse shteti shqiptar nuk ka mundësi të menaxhojë kriza që rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe pronën e tyre private e publike, kjo tregon dështimin e drejtuesve të këtij shteti, e posaçërisht të drejtuesve të aparateve të mbrojtjes së rendit. Interpretimi zyrtar i ngjarjes, nën moton e domosdoshmërisë së mbrojtjes së institucioneve është cinik. Institucionet shtetërore të Tiranës nuk rrezikohen nga jashtë, nga protestues të vrarë përtej oborrit të Kryeministrisë, por nga brenda, prej arrogancës dhe korrupsionit të rrënjësuar. Nga ana tjetër, retorika makabre e martirizimit dhe shpërdorimi i dhimbjes për jetët e humbura nga ana e disa drejtuesve të opozitës, tregon pjesën tjetër të dështimit moral që mbizotëron në politikën shqiptare. Vrasja e qytetarëve nga shteti dhe manipulimi ekzibicionist i vrasjes së tyre për qëllime partiake-e jo detyrimisht politike- është karakteristikë për Shqipërinë e 20 viteve të fundit, ku jeta e qytetarit vazhdon të konsiderohet si pronë shtetërore apo si numër abstrakt në listat e organizatës së partisë.

Vdekja dhe plagosja e qytetarëve shqiptarë, qofshin këta civilë apo jo, është srtukturuar prej vdekjes së politikës shqiptare dhe zëvendësimit të saj me kapriçiot e pazarit ndërpartiak. Vdekja e politikës e shprehur me anashkalimin dhe përçmimin e rregullave të lojës institucionale, transparencës dhe llogaridhënies ligjore, ka për të prodhuar periodikisht vdekje të qytetarëve nëpër llogoret e bipartitizmit mesjetar shqiptar. Thirrjet që vijnë nga dy skajet pazarprishura të këtij bipartitizmi, për ta inskenuar nëpër rrugë marrjen apo mbrojten e pushtetit, me protesta e kundërprotesta, tentojnë ta riformatojnë shoqërinë në konture të një lufte civile.

Duke i dërguar edhe një herë ngushëllime të sinqerta të afërmve të viktimave, nuk harrojmë të sugjerojmë tek lexuesit e mbështetësit tanë që të mos bëhen palë e këtij konfrontimi që premton viktima të reja. Bipartizmi shqiptar që kërkon të imponohet si fatalitet natyral, nuk mund të na konformojë dot në skemën e vet primitive me të mirë e të këqinj, me të korruptuar e të pakorruptuar sipas teserave partiake. Zgjidhja e vërtetë e krizës kërkon me doemos mbështetjen e palëve që nuk e kanë gatuar atë në vite. Çdo zgjidhje që vjen nga brenda bipartitizmit, do t’u ngjajë armëpushimeve të tjera të njohura këto 20 vite, të kryera nën presion të jashtëm, të cilat vetëm sa e kanë spostuar për më vonë përplasjen tragjike pseudopolitike.

Nuk ka komente:

Posto një koment