Nga Th. Rmia
Pak ditë më parë, Vincent Geisser, kërkues dhe specialist i botës arabe në Francë shprehej se, fenomeni i Tunizisë mund të krahasohet vetëm me rënien e Murit të Berlinit, duke nënkuptuar kështu efektin e përhapjes së fenomenit nëpër vendet e tjera arabe, që mbahen të ngërthyera nën diktatura simotra me atë të Tunizisë së Ben Aliut, me pëlqimin dhe për lumturinë e Perëndimit.
Kolegu i Vincent Geisser-it, dëshirën e të cilit për të mbetur anomim e mirëkuptojmë, është më i sigurt për efektet e revolucionit demokratik të rrugës tuniziane. ‘Do të thosha’, - thotë studiuesi, ‘se është e paevitueshme që konsekuencat e tij të jenë të rëndësishme. Ky është vetëm fillimi i rënies së këtyre regjimeve’.
Përhapja e sëmundjes së lirisë duket se është duke prekur më shumë shtetet në të cilat hapësira e lirisë është tejet e ngushtë : Algjeri, Egjipt, Libi, Jordani, Marok… Janë po këto shtete, që me bekimin dhe mbështetjen e Perëndimit, përdorin tashmë prej dekadash argumentin e lodhur të rrezikut islamist për shtypur me dhunë, shpesh të skajshme, liritë dhe të drejtat legjitime të popujve të tyre.
‘Sistemet të cilat duket se po i rezistojnë dallgës së prostestave popullore janë ato në të cilat, të gjitha forcat politike janë të përfshrira në arenën publike. Pra, edhe islamistët. Tashmë, do të jetë e paevitueshme përfshirja e tyre kudo. Në Turqi, islamistët qeverisin prej vitesh dhe janë pjesë e lojës demoktratike të vendit’, - vijon të thotë specialisti anonim.
Ajo që nuk dihet ende është se si do të përballen fuqitë perëndimore me pjesëmarrjen e islamistëve në arenën publike të vendeve arabe, sidomos atyre që ndodhen përreth Israelit. Rasti i fitores së Hamasit në zgjedhet e lira dhe demokratike në Palestinë, të cilat Perëndimi praktikisht nuk i njohu, mbeten një shembull lapidar në këtë kontekst.
Vështirë po ashtu të imagjinohet një regjim egjipjan që i shërben më shumë popullit të tij, duke iu bindur kështu disa herë më pak kompromiseve me Perëndimin.
‘Perëndimorët’, - thotë specialisti, ‘nuk kanë detyrishimt dëshirë që këto vende të hapen dhe kështu t’u hapin vendin islamistëve për të ardhur në pushtet. Gjithmonë e më tepër do të nisim të dëgjojmë për rrezikun islamist të këtyre vendeve’, - pëfundon ai.
Vërtet, ditën kur avioni presidencial i Ben Aliut u ul në Paris, Rashida Dati, ish Ministre e Drejtësisë së qeverisë së parë Sarkozy, e ftuar në kanalin informativ frëng BFM, nuk ngurroi të fliste për rrezikun islamist në Tunizi. Me këtë rast, znj. Rashida Dati nuk harroi të lavdëronte edhe punën e palodhur të ish presidentit Ben Ali në shtypjen e pamëshirshme të lëvizjes islamiste në vend, paçka se ish presidenti mik i madh i shtetit frëng, vetëm pak kilometra larg studios televizive, priste me ankth vizën e hyrjes për në Francë si një emigrant ordiner.
Viza iu refuzua sikurse një emigranti ordiner. Franca, ky azil diktatorësh të plakur, vendosi të aplikojë për rastin Ben Ali ligjin e emigracionit të përgjedhur bashkë me kriteret e tij të errëta. Sidoqoftë, deklarat e turpshme të qeveritarëve francezë për lëvizjen e rrugës tuniziane, tradhëtuan tronditjen e thellë të shetit mik të Ben Aliut. Franca ishte këtë herë realisht e papërgatitur.
Megjithatë, duket se Perëndimi nuk ishte i gjithi i papërgatitur për këtë revolucion të rrugës arabe. Më 13 janar, sekretarja amerikane e shtetit, znj. Hillary Clinton ishte në Doha. Gjatë takimit, znj. Clinton, udhëheqësve të botës arabe pjesëmarrës u mbajti një fjalim fare të pazakontë, për të cilin nuk dihet me siguri nëse aleatët e saj ishin krejtësisht të përgatitur.
‘Ata që kapen fort pas status quo-së mund t’i qëndrojnë impaktit të plotë të problemeve të vendit të tyre për pak kohë, por jo përgjithmonë’ – u tha aletatëve të saj në Lindje të Mesme sektretarja e shtetit më të fuqishëm të botës. Thënë ndryshe, znj. Clinton i përgatiti aleatët e saj se bota, sikurse ata e kanë njohur deri tani, është në perëndim e sipër.
‘Elementët ekstremistë, - vijoi znj. Clinton, ‘grupet terroriste dhe të tjerë, të cilët luten për dëshpërim dhe varfëri kanë dalë me thirrje ndaj popullit për besnikëri dhe përkushtim dhe janë duke konkurruar për influencë. Ky është një moment kritik dhe kjo është një sprovë udhëheqjeje për të gjithë ne’ – tha znj. Clinton.
Sikur znj. Clinton të mos i kishte thënë këto fjalë në Doha, por në cilindo shtet të Amerikës së saj, do të dukej sikur ajo po fliste për situatën e krijuar në shtetin më të fuqishëm të botës, ku ekstremistët neo-fashistë të Tea Party-it po e përçajnë shoqërinë dhe politikën amerikane në një nivel rrallë të njohur më parë.
Po sikur znj. Clinton t’i ketë me gjithë mend fjalët që tha në Doha ? Po sikur Amerika e tashme, përballë rrezikut të prekshëm neo-fashist që i kanoset, të mos ketë më asnjë zgjedhje përveç inkurajimit të vërtetë të lirisë dhe demokracisë në vendet arabe, ndryshe nga ç’ka bërë deri më tash ?
Në shtëpinë e tyre, demokratët e Amerikës janë me shpatulla për muri. Zgjedhjet që afrojnë më shpejt se ç’dëshirojnë, nuk premtojnë ardhmëri të mirë për këtë shtet të fuqishëm. Neo-fashizmin, me të cilin flirton shumë fort një pjesë e madhe e Amerikës së sotme, burrat dhe gratë me mend të Amerikës e dinë mirë që është varri i fuqisë së vendit të tyre.
Zgjidhja pra, edhe në këtë rast është ironikisht teoria Rumsfeld-it për ndryshimin e realiteteve. Vetëm se kësaj here, jo për të hapur varre, por për të mbjellë jetë, ajër dhe më tepër liri. Vendet arabe, kaq jetike për mbijetesën jo vetëm ekonomike të vetë shtetit Amerikan, kanë tashmë të drejtë të shpresojnë.
Nuk duhet harruar se presidenti Obama, ai që e thirri ambasadorin e Tunizisë personalisht në zyrë për t’i kërkuar atij largimin e plotë dhe të pakthyeshëm të ish presidentit Ben Ali, duke shkaktuar kështu dëshpërimin dhe tronditjen e Francës.
Kohët po ndryshojnë. Shoqëritë e martirizuara arabe duket se do të përfitojnë plotësisht nga erërat e frikës legjitime në Amerikë. Shteti më i fuqishëm i botës duket se po fillon ta besojë me gjithë mend përrallën e bukur për liri dhe demokraci edhe për të tjerët. Këtë herë, 20 vjet pas rënies së diktaturave komuniste në Lindje, me liri dhe demokraci të rrezikuara në territorin e saj, Amerika nuk duket të ketë më mundësi të përsëtitë gabimet e rënda të së shkuarës.
Kjo puna nese ngjarjet e Tunizise jane indikative te mundesise per zhvillimeve te ngjashme ne vende te tjera, vecanerisht Egjipt dhe Algjeri, eshte diskutuar shume keto dite. Disa komentatore vene ne dukje se nuk ka ne vene te tjera lidhje te klases se mesme dhe unioneve me protestuesit, te tjere se pushteti ka shperndarje ne me shume qarqe se c'kishte ne Tunizi etj, por me shume ma mbushi mendjen nje studiues ne Carnigie Center qe thoshte se eshte te parashikohet se kush po mendonte para pak muajsh se dicka e tille do ndodhte ne Tunizi. Mubaraku ne Egjipt eshte duke vdekur po pna eshte se kush do e pasoje kur eshte se dhe disa nga ushtaraket e larte te tij nuk jane dhe aq te kenaqur qe te mare pushtetin Xhemal Mubarak.
PërgjigjuFshije