Ramadan Ramadani
Titujt e shumë shkrimeve të kësaj jave lehtë do mund të parashikohen. Njashtu edhe tema që më së shumti preokupon shqiptarët, gjithandej. Të gjitha janë për Shqipërinë. Më saktësisht pjesën e saj të shtetëzuar nën emrin Republika e Shqipërisë. Ashtu edhe ky shkrim dhe ky titull, që është një varg nga himni i flamurit ku shqiptarët garantojnë duke thënë se: Shqipëria do të rrojë. Por shqiptarët që këndojnë këtë varg të himnit dhe që kanë brengë Shqipërinë janë shumë më shumë se ata që janë aty brenda dhe që janë ndarë aq shumë në Salë dhe Ramë. Të gjithë ne shqiptarët, kudo, me qenien tonë jemi ata që bëjmë që Shqipëria të rrojë! Dhe gjithmonë kur diçka ndodhë në atë R. e Shqipërisë, na përket të gjithëve. Jemi shqiptarë që edhe pse pa të drejtë vote në atë shtet, kemi pasoja dhe reflektime shumë të mëdha për atë që ndodh aty, gjithandej ku ndodhemi. Mjafton si pasojë fakti që ngushtohet secili shqiptar që si puna jonë jeton jashtë atyre kufijve të pyetet nga ndonjë i huaj se çka bëjnë ata të juajët aty? Secili që ka përjetuar këtë ngushtim, qoftë tani, qoftë atëherë kur ishte shumë më rëndë, në vitin 1997 e di se sa e zorshme është një kësi pyetje në ato momente.
Unë vet në vitin 1997 isha në vitin e fundit të studimeve në Stamboll të Turqisë. Dilnin njerëz nëpër televizione dhe komentonin lirshëm për një vend të largët si Shqipëria. Ne përcillnim komentet e tyre prej më të ndryshmeve; nga ajo se duhej të admirohej një popull kaq energjik e deri më të rënda që kontestonin kapacitetin shtetformues të shqiptarëve. Një nga komentet më të rënda që dëgjova atëherë ishte për mungesën e luajalitetit ndaj obligimit të punës; ai analisti pyetej se si nuk ndien obligim rojtari i thjeshtë i muzeut të mbrojë muzeun, thjesht për luajalitet ndaj obligimit që ka. Habitej se ku është amaneti; ai vetë e emërtonte kështu këtë koncept. Ne disa shqiptarë të ngushtuar dhe të mërzitur e dinim se ky njeri nuk dinte shumë saktë as se ku ndodhej Shqipëria, e lere më të dijë se çka ka përjetuar dhe me kend kufizohej. Atëherë ishim të rinj dhe shanim shumë. Shumë nga ato shamje ishin ndoshta ofshamë nga brenga.
Shqiptarët u kthjellën dhe u përtërinë shpejt. E bënë Kosovën shtet dhe vetëm dhjetë vite pas 1997, Shqipëria u bë antare e NATO-s. Duke dëshmuar kështu sërish kapacitet shtetformues. Tani në ndodhitë e fundit shqiptarët treguan edhe amanet edhe legjitimitet për të mbrojtur shtetin. Një mik më tha se prej kësaj dhe sidomos prej faktit se tre njerëz janë të vrarë, njëri prej dy figurave më të mëdha politike aty, nuk do mbijetojë politikisht. Mendoj se cili do që të shkojë është qar për shqiptarët ose si dimë të themi shpesh: një më pak.
Ne prej këtu nuk votojmë dhe nuk kemi pse të marrim anë. Kjo do vazhdojë të jetë kështu dhe ne ende nuk kërkojmë të drejtë vote në atë shtet. Por ajo që kërkojmë është që të kihet parasysh sa herë se gjithë ne jemi Shqipëri. Dhe për këtë thirremi në ngushtinë dhe mërzinë tonë për Shqipërinë, kudo që jemi. Duhet marrë parasysh se sa veta brengosemi për atë Shqipëri dhe edhe sipas asaj të bëhen kalkulimet dhe hesapet politike. Edhe nëse nuk kërkojmë të drejtë vote, ne gjithmonë kërkojmë që të merret parasysh së paku edhe momentumi shqiptar për çdo aksion politik brenda asaj që është R. e Shqipërisë. Nëse kjo nuk parashihet, atëherë jo kjo e fundit, por edhe aksioni më patriotik i mundshëm brenda kufijve të Shqipërisë, mund të perceptohet si tradhti ndaj shqiptarëve. Mu edhe kjo është dallimi mes Tunizisë dhe Shqipërisë. Tunizia është periferi e arabëve kurse Shqipëria është qendër e shqiptarëve. Politikisht ngjajnë vetëm në klimën mediterane, por edhe në atë jo plotësisht, pasi Shqipëria e plotë ka më shumë se një klimë.
Tri herë përtërihet burri, thotë një thënie kosovare. Çdo përtëritje është edhe një lloj hallakamë. Tani mendoj se kjo ishte hallakama e fundit e Shqipërisë para se, në vitin që vjen, të mbushë njëqind vjet. Pas kësaj Shqipëria shumë më mirë do rrojë. Besoj se shumë njerëz nga kjo që ndodhi kanë marrë mësim se çka duan dhe çka nuk duan shqiptarët. Kurse shqiptarët duan dhunë vetëm sa për t’u vënë rendi. Gjithë ajo që ka tipare anarkie është e neveritshme për shqiptarët. Dhe shqiptarët janë gjithmonë me viktimën kurse viktimë edhe në këtë rast ishte populli i mishëruar edhe tek protestuesit edhe tek policët.
Ne prej këtu vazhdojmë të ngushtohemi me pyetje. Sidomos tani në këtë moment kur dikush mund të na rendisë dhe pyet si ju këtu me dosjet, ata në Kosovë me votat dhe me raportin e Dick Martyt, kurse këta në Shqipëri nuk lëshojnë pe. Çka është kjo punë e juaja?
Tani jemi plakur dhe nuk shahemi më. Vazhdojmë të përgjigjemi se ne shqiptarët funksionojmë sipas ligjeve të natyrës e njëri prej atyre ligjeve është se asnjë pjesë e organizmit nuk funksionon mirë kur është e ndarë, ose e coptuar. Për të vërtetuar këtë edhe do bëhemi një ditë të plotë. Përkundër krejt armiqve dhe tradhtarëve një ditë Shqipëria do të rrojë, e plotë! Ka shumë njerëz të cilëve nuk ua merr mendja se do ndodhë kjo. Edhe kur u bë Shqipëria, shumë njerëz mendonin se është një eksperiment politik afatshkurtër. Ja tani po i mbush njëqind vjet!
Marre nga Gazeta Koha e Re, Shkup.
Nuk ka komente:
Posto një koment