e martë, 11 janar 2011

Një propozim për çështjen e “shamisë”


Ermir Hoxha


Pas një leximi të ethshëm të shkrimit me titull “Diktatura e laicizmit” me autor Ergys Mërtirin - një prognozë e shkëlqyer e tij mbi atë se si po udhëhiqet shoqëria jonë prej kastave neokomuniste – më erdhi të bëj një propozim, në thelb pragmatist, për ta “luftuar” me sa mundemi atë palo projektligj të MASH-it që po na krijon kokëçarjen e rradhës, paçka se në pushtet është “ai”, për të cilin, çuditërisht një pjesë e mirë muslimanësh se ç`kanë një veneracion, vështirësisht të kuptueshëm.



Unë them që ndonjë ent mendimi, si përshembull “Lidhja e Hoxhallarëve”, apo qoftë dhe ndonjë grupim i sajuar në këtë shoqërinë kibernetike ku endemi në një pjesë të mirë të ditës, të lëshojnë një mesazh të qartë ku në thelb të jetë kjo fjali apo ky kushtëzim: “Në zgjedhjet më të afërta, ftohen të gjithë muslimanët që ta lëshojnë votën e tyre kundër çdo pushteti, prej të cilit cënohen në besimin dhe të drejtat e tyre”. Dhe ky mesazh të potencohet sa më shumë dhe mediatikisht, për të përçuar më qartë e më shkoqur te MASH apo Berisha vetë.


Pra, këtu nuk ka ”voto për këtë e mos voto për atë”, por lihet të kuptohet që ka ardhur koha që të bëhen ca hesape me laps. Nuk paragjykoj se ç`ka patur ndërmend Edi Rama kur ka promovuar ndërtimin e “Xhamisë së re”, por ama muslimanët, duhet të dijnë të përfitojnë prej këtij faktorizimi të ri prej kreut të bashkisë së Tiranës e njëherësh kreut të opozitës që nesër mund të jetë në pushtet. Dhe nuk mbarron me kaq.


Në deklaratë duhet t`i përcillet mesazh dhe opozitës që të shprehet lidhur me “projektligjin” e përfolur. Znj. Ledi Shamku Shkreli, është kandidatja potenciale për të qenë nesër ministre arsimi, ndërkohë që dallohet për komponenten e saj të fuqishme fetare në identitetin personal, përçuar prej kryqit në qafë. Atë ta mbajë sa të dojë, sepse është zgjidhja e saj që nuk i prish punë askujt, e madje dhe nëse do jetë ministre. Por çështja komplikohet nëse dhe vetë znj. Shamku - Shkreli është në të njëjtën linjë me kundërshtarët e saj politikë. E bëj këtë propozim, sepse nuk shoh shenja që MASH e zyrtarët e saj, të nxënë prej argumentave që u ofrohen. Shkrimi i sipërcituar i Ergys Mërtirit ishte klas për nga kapja e qasja me efekt çarmatosës për hartuesit e “projekligjit”, por ja që ata nuk mundet, apo nuk duan të gjykojnë me standartet që gjykojmë ne, që gjithsesi nuk janë ekskluzivisht tonat. Nga ana tjetër, nuk ka vlerë që t`u sqarohet se çfarë është “shamia” (simbol apo standart). Pra, t`i lëmë në mos të kuptuarin e tyre, apo thënë me popullorçe, në kokëderrësinë e tyre, duke “luajtur” me kushtet që shkojnë mu te ajo që më së shumti u dhemb atyre: vota!

P.S. Ky ishte një propozim modest që nuk pretendoj të jetë më i mençuri. Eshtë thjesht një përpjekje po ashtu modese për të kontribuuar në zgjidhjen e një ngërçi, që nuk ështe thjesht e drejta e motrave tona për t`u arsimuar e për t`u punësuar, por diçka më tepër, që shkon drejt një kredoje shoqërore!

Nuk ka komente:

Posto një koment