E-zani i nalte
“Ajri i rëndë bëhet gjithnjë e më i fortë, sapo i afrohesh stacionit të pompave. 13 burra, të cilët për vite të tëra kanë gërmuar tokën në kërkim të kromit, dergjen në krevatë të improvizuar, pa dhënë shenja jete. I vetmi që arrin të flasë është kryetari i grevës, Baki Bajraktari, i cili me zë të mbytur tregon se gjendja e grevistëve është e rëndë dhe se nuk dihet se si do jetë në orët në vijim. I ofrojmë një cigare, por Bakiu refuzon. “Jam me Ramazan dhe nuk e prish agjërimin me ujë dhe cigare”, thotë ai.
1000 metra nën tokë, këtë muaj, në Bulqizë, Ramazani u takua me minatorët grevistë. Braktisja e ushqimit për hir të Zotit, për t’i treguar vetes se rrohet pa bukë, po jo pa Zot, u puq poshtë në galeritë e protestës me urinë për drejtësi dhe dinjitet.
Arma e të dobëtit përballë sistemit ekonomiko-politik në Shqipëri, edhe kësaj here si gjatë dy dekadave të fundit, ishte uria, uria si lutje kërcënuese për mirëkuptim prej pushtetit, plus si ndërgjegjësim për shoqërinë. (Po a ka kuptim që të uriturit të bëjnë grevë urie – thotë një pyetje e vjetër?)
Në një shoqëri gjithnjë e më tepër të fragmentuar, ku lidhjet, që prej atyre familjare e deri tek ato komunitare, po shkëputen përditë e më, tuneli ku pritën solidaritet e drejtësi minatorët hallexhinj, është thjesht pjesë e një rrjeti pa fund tunelesh indiference, ku i fshihen njëra-tjetrës vuajtje e halle të patreguara. Copëzimi, vetëm sa i shton hallet dhe vuajtjet, por bashkimi i pakëson ato. Në mungesë të këtij bashkimi, shteti dhe kapitali, ndonëse me “kombësi” të ndryshme, u njësuan tek shkopinjtë e gomës mbi grevistë. I nxorrën me dhunë nga tuneli, po prapë nuk po I shohim: “Shtypja dhe varfëria juaj është turpi i të gjithëve ne”.
***
“Protesta e minatorëve të Bulqizës që po vazhdon prej gati dy muajsh, do të pësojë një ndërprerje treditore për të vijuar sërish ditën e mërkurë të javës së ardhshme. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të komisionit të grevës. Merret vesh se shkak i kësaj ndërprerjeje është bërë festa e Bajramit, për t’u dhënë kështu mundësi minatorëve që të festojnë së bashku me familjet e tyre. Ndërkohë minatorët pohojnë se do të festojnë me para të marra borxh, pasi kompania nuk i ka paguar ata prej dy muajsh që vijojnë protestën ndaj kompanisë ACR, që aktualisht menaxhon minierën e Bulqizës”.
Bekuar Bajramin bulqizakë! Me gjysëm zëri, po ju urojmë…
Nuk ka komente:
Posto një koment