e shtunë, 6 gusht 2011

Nudizëm mediatik në mungesë lajmesh


E. Mërtiri

Një ngjarje fare banale, pa pikë rëndësie në të vërtetë për shoqërinë shqiptare, po shqetëson opinionin publik, duke ngritur një debat që do të ishte mirë të ishte kursyer pasi ngre më shumë keqkuptime sesa receta të dobishme për shoqërinë. Disa gdhendje nudo në dru, të ekspozuara në shkallët e xhamisë, në një mjedis të cilin Myftinia e Durrësit ia ka lënë në përdorim Bashkisë, për ta përdorur si galeri arti, u penguan të shfaqen për shkak se paska pasur një marrëveshje që i jep Bashkisë të drejtën e shfrytëzimit të mjediseve të xhamisë, me kusht që të mos ekspozojë vepra që janë në kundërshtim me etikën fetare. Gazeta Tema, ka dy ditë që synon ta ngrejë këtë cështje si një precedent të rrezikshëm për shoqërinë shqiptare, ku klerikët i imponojnë vlerat shoqërisë duke censuruar artin. Një shkrim i Mero Bazes, por edhe disa intervista të marra nga disa artistë, ofruan një gjuhë indinjate ndaj Komunitetit Mysliman, i cili sipas tyre, po shfaq një mentalitet të prapambetur dhe të dëmshëm për shoqërinë shqiptare.


Duke qenë se kam punuar për një kohë, relativisht të gjatë në gazetën Tema, më duhet të shpreh keqardhjen për mënyrën sesi kjo gazetë kërkon të ngrejë precedentë të paqenë, të cilët në fakt, janë ata që e dëmtojnë më shumë shoqërinë shqiptare sesa qoftë edhe “mentaliteti i prapambetur” i disa klerikëve. Gjuha antiklerikale e përdorur sot në gazetë, nuk i shërben aspak shëndoshjes së kësaj shoqërie, për më tepër krijon keqkuptime të pavend se klerikët dhe feja janë kundër artit dhe qytetërimit, gjë që nuk është absolutisht e vërtetë dhe që nuk ka kurrfarë lidhje me rastin në fjalë.

Fillimisht, duhet të themi se ka një marrëveshje mes Bashkisë dhe Myftinisë, e cila në fakt po e lejon galerinë në pronë të vet, dhe e vërteta nuk është ashtu sic e trajton gazeta Tema, sikur klerikët po i imponohen Bashkisë për projekte të saj në pavarësi prej KMSH-së, por e kundërta, klerikët po e ndihmojnë Bashkinë që të mos mbesë pa galeri. Ajo që do të duhet të evidentonte gazeta, është fakti që Myftinia në fakt po i bën një shërbim artit në qytetin e Durrësit, duke lënë në përdorim hapësirat e saj, për të ekspozuar veprat e artistëve, në një qytet të mbetur pa frymë, ku nuk paska asnjë hëpësirë për të ndërtuar një galeri. Pra, fillmisht, për të qenë të drejtë, do të duhet njohur merita e shërbimit, pastaj mund të diskutohet për pengesën.

Nga ana tjetër gazeta duhet ti informojë mirë artistët para se tu marrë prononcimin, në mënyrë që edhe ata të mos flasin pa ditur sesi është cështja. Ky është përdorim i të intervistuarit për qëllime të tjera, që i interesojnë gazetës dhe jo komunitetit të artistëve. Në rastin konkret, krahasimi i bërë nga artistët në prononcimin e tyre, midis nudove dhe pornografisë, të cilët kërkonin prej KMSH-së të reagojë ndaj pornografisë së përhapur në shoqërinë shqiptare dhe jo ndaj nudove, nuk lidhet aspak me rastin në fjalë. Kjo jo vetëm për faktin se Myftinia po kërkon dicka kontraktuale, për të cilën është rënë dakort, por më tepër për vetë natyrën e ekspozimit. Natyrisht, gjithkush e kupton se një vepër arti ndryshon krejtësisht nga një e vepër pornografike, ndonëse në rastin konkret nuk ndjej se jam personi i duhur për të vlerësuar nëse veprat e ekspozuara bartnin vërtetë vlera artistike apo jo (shpesh përcaktimi i këtyre mbetet shumë i hollë për tu ndarë dhe i pashkëputur dot nga subjektiviteti). Por në thelb, një nudo e eskpozuar në një mjedis publik, ku bëhet e aksesueshme për njerëz të cfarëdoshëm, për kalimtarë të rastit (për më tepër kur ato ekspozohen në shkallët e një objekti kulti), nuk mund të ketë ndonjë filtër që të pengojë perceptimin e saj thjesht si lakuriqësi.

Një vepër arti, edhe në qoftë vërtetë e tillë, merr vlera artistike kur hyn në komunikim me njerëz që e shohin si të tillë. E ekspozuar në mjedise publike të cfarëdoshme, për më tepër ku mund të kalojnë fëmijë dhe gjithkush tjetër, ajo nuk komunikon dot në gjuhën e vecantë të artit, e cila e mbron dhe e zhvesh nga pornografia. Për këtë arsye, diskutimi i nevojshëm në rastin konkret, do të ishte ai që ka të bëjë me vendin e ekspozimit dhe jo me nudot në vetvete, ndaj të cilave nuk ka reaguar askush kur ato ekspozohen në mjedise të brendshme të galerive tona kombëtare e private.

Së fundi, gazeta Tema bën një gabim logjik edhe thjesht nga mënyra sesi ekspozon problematikën si dhe zërat që thërret në debat. Ajo që duhet kuptuar në raste të tilla është se ky debat nuk ka absolutisht lidhje me artin në vetvete. Ky është një debat filozofik, kulturor, sociologjik, psikologjik etj, por jo një debat mbi artin, pavarësisht se rrëmuja u bë për disa vepra arti. Fakti nëse një nudo duhet ekspozuar apo jo në mjedise publike nuk është gjë që e dinë më mirë artistët. Artistët dinë ti prodhojnë nudot, por nuk mund të dinë efektet sociale të ekspozimit të tyre, apo nuk mund të dinë domosdoshmërisht edhe hollësira në lidhje me debatin etik që rrjedh prej këtij ekspozimi. Kështu që, të trokasësh në derë të artistëve për të diskutuar këtë problem, është njësoj si të trokasësh në derë të kompanive që prodhojnë veshje sportive, për të diskutuar mbi një ndeshje futbolli.

5 komente:

  1. Shume Dakort me Shkrimin . Mbyllja mund te kursente disa komente per mendimin tim.

    .... Mendimi im eshte se Italine apo Greqine e vjeter nuk e ka gjetur gje per nudot antike qe kane ekspozuar e vazhdojne te ekspozojne ne sheshet kryesore keshtuqe dhe ju mos beni te njetin gabim ne analiza me ate te Gazetes Tema .

    PërgjigjuFshije
  2. Kjo eshte ceshtje kendveshtrimesh Endrin. Gjithsekush ka te drejte ta mendoje ceshtjen sic i duket me e arsyeshme, por kjo nuk do te thote se fakti qe disa njerez e mendojne ndryshe, do te thote se jane te paqyteteruar dhe se po perpiqen te imponojne injorancen e tyre. E trajtuar ne menyren sesi e trajton gazeta Tema, e fut debatin ne sokaqe te ngurta keqkuptimesh, gje qe eshte e kunderta e nje shtypi te emancipuar.

    PërgjigjuFshije
  3. kur marrveshja eshte e qarte nuk ka te drejte te shkel askush. por duket se islamofobia dhe mosnjohja e rregullave fetare ka cuar deri ne kete pike.

    PërgjigjuFshije
  4. o autor,qe ke shkruar 60 rreshta...problemin ne fjale shume bukur mund ta permblidhje ne 6 rreshta...nje fjale e urte popullore thote; Pak e sakte

    PërgjigjuFshije
  5. Mos e lexo te gjithin mor burre. Zgjidh 6 rrjeshta dhe leri 54 te tjeret.

    PërgjigjuFshije