Jo shumë pas kësaj shenje të jashtme të autoritetit dhe misionit të tij, ai filloi të përjetonte shenja të brendshme të fuqishme, krahas atyre për të cilat kishte qenë i ndërgjegjshëm më parë. Kur pyetej rreth tyre, ai fliste për “vizione të vërteta” që i vinin në gjumë dhe thoshte se ishin “si dalja e dritës në agim.”
Rezultati i menjëhershëm i këtyre vizioneve ishte se vetmia iu bë e shtrenjtë dhe ai shkonte për veçime të përshpirtshme në një shpellë të Malit Hira, jo larg rrethinave të Mekës. Këtu nuk kishte asgjë që do t’u ishte dukur veçanërisht e çuditshme Kurejshëve, sepse halveti kishte qenë praktikë tradicionale mes pasardhësve të Ishmaelit, dhe në çdo brez kishte pasur një a dy syresh që tërhiqeshin herë pas here në një vend të vetmuar, që të kishin një interval të pandotur nga bota e njerëzve. Në përputhje me këtë praktikë të moçme, Muhammedi merrte me vete furnizime dhe i kushtonte një numër të caktuar netësh adhurimit të Zotit. Atëherë kthehej te familja e tij dhe rastiste që, pas kthimit, të merrte furnizime të tjera e të shkonte prapë në mal. Gjatë këtyre pak vjetëve i ndodhte shpesh që, pasi linte qytetin dhe i afrohej strehës së tij të oshënarisë, të dëgjonte qartë fjalët “Paqe pastë mbi ty, O i Dërguar i Zotit”, dhe ai kthehej për të parë ndonjë folës, por askush nuk shihej aty pari dhe dukej sikur fjalët vinin nga ndonjë pemë a gur.
Ramazani ishte muaji tradicional i halvetit, dhe një natë, pikërisht aty nga fundi i Ramazanit, në vitin e tij të dyzetë, kur ishte i vetëm në shpellë, atij i erdhi një Engjëll në formën e njeriut. Engjëlli i tha: “Recito!” dhe ai u përgjigj: “Nuk jam recitues”, me ç’rast, siç tregon ai vetë, “Engjëlli më mori e më mbërtheu në rrokjen e tij gjersa arriti cakun e durimit tim. Pastaj më lëshoi dhe tha: ‘Recito!’ ‘Nuk jam recitues’ - i thashë, dhe ai më mori sërish e më mbërtheu në rrokjen e tij dhe përsëri kur kishte arritur cakun e durimit tim, më lëshoi dhe tha: ‘Recito!’ e unë prapë i thashë ‘Nuk jam recitues’. Atëherë, për të tretën herë ai më mbërtheu si më parë, pastaj më lëshoi dhe tha:
Recito në emër të Zotit tënd që krijoi!
E krijoi njeriun nga një droçkë gjaku.
Recito; dhe Zoti yt është Më i Begati,
Ai që ia mësoi penën,
i mësoi njeriut çfarë nuk dinte.”
Ai i recitoi këto fjalë pas Engjëllit, i cili atëherë e la; dhe ai tregonte më pas se: “Ishte tamam sikur fjalët të më ishin shkruar në zemër.” Por ai druhej se kjo mund të nënkuptonte që ai ishte bërë një poet i frymëzuar nga xhinnët ose njeri i poseduar. Kështu që u largua nga shpella dhe kur kishte zbritur gjysmën e shpatit të malit, dëgjoi një zë mbi të t’i thoshte: “O Muhammed, ti je i Dërguari i Zotit e unë jam Xhibra’ili.” Ai ngriti sytë nga qielli dhe ja ku ishte vizitori i tij, i dallueshëm por tashmë qartësisht një Engjëll, tek mbushte horizontin dhe i thoshte prapë: “O Muhammed, ti je i Dërguari i Zotit e unë jam Xhibra’ili.” Profeti qëndroi duke vështruar ngultasi Engjëllin; pastaj u kthye me shpinë, po ngado që të shikonte, Engjëlli ishte gjithmonë aty, kaluar horizontit, qoftë nëse kthehej nga veriu, nga jugu, nga lindja apo perëndimi. Më në fund Engjëlli u largua dhe Profeti zbriti rrëpirën e shkoi në shtëpi. “Mbulomë! Mbulomë!” - i tha Hatixhes, teksa shtrihej në minderin e tij, me zemrën akoma duke iu dridhur. E alarmuar, porse prapë pa guxuar ta pyeste, ajo i solli shpejt një gunë dhe ia shtroi përsipër. Por kur intensiteti i frikës të tij kishte rënë, ai i tregoi çfarë kishte parë e dëgjuar; dhe pasi i tha fjalë siguruese, ajo shkoi t’i tregonte kushëririt të saj Warakah, i cili tani ishte plakur e verbuar. “I Shenjtë! I Shenjtë!” - tha ai. “Pasha Atë, që ia ka Warakas shpirtin në dorë, Muhammedit i ka ardhur Namusi më i madh, bash ai që i vinte Moisiut. S’ka dyshim se Muhammedi është Profeti i popullit të vet. Thuaji të mos mëdyshet!” Kështu, Hatixhja shkoi në shtëpi dhe ia përsëriti këto fjalë Profetit, i cili tani u kthye mendjeqetë në shpellë, për të përmbushur numrin e ditëve që i kishte kushtuar Zotit për halvetin e tij. Kur ato u plotësuan, ai shkoi drejt e në Qa‘be, sipas zakonit të tij, dhe kreu ritin e rrotullimeve, pas të cilit përshëndeti plakun e verbër Warakah, të cilin e pikasi mes atyre që ishin ulur në Xhami; dhe Warakah i tha: “Tregomë, o bir i tim vëllai, se ç’ke parë e ç’ke dëgjuar.” Profeti i tregoi dhe plaku përsëriti ç’i kishte thënë Hatixhes. Por kësaj here shtoi: “Do të të quajnë gënjeshtar e të keqtrajtuar, do të të dëbojnë dhe luftojnë; dhe në jetofsha ta mbërrij atë ditë, Zoti e di që do ta ndihmoj kauzën e Tij.” Atëherë ai u përkul drejt tij e i puthi ballin, pastaj Profeti u kthye në shtëpi.
Të siguruarit e Hatixhes dhe Warakas e vijoi një sigurim nga Qielli, në formën e një Shpalljeje të dytë. Mënyra e ardhjes së saj nuk është regjistruar, por kur u pyet se si i vinte Shpallja, Profeti përmendi dy mënyra: “Nganjëherë ajo më vjen si tringëllimat e një zileje, dhe kjo është më e vështira për mua; tringëllimat pushojnë kur vetëdijësohem për mesazhin e tyre. Dhe nganjëherë Engjëlli merr formën e njeriut dhe më flet e unë jam i vetëdijshëm për atë që thotë.”
Herën e dytë, shpallja filloi me një gërmë të vetme, rasti më i hershëm ky i atyre gërmave kriptike, me të cilat fillojnë mjaft prej mesazheve kur’anore. Gërmës i vijoi një betim Hyjnor, për penën që ishte përmendur edhe në Shpalljen e parë si mjeti parësor i mësimit të urtisë së Tij nga Zoti për njerëzit. Kur pyetej për këtë penë, Profeti thoshte: “Gjëja e parë që Zoti krijoi ishte pena. Ai krijoi rrasën dhe i tha penës: ‘Shkruaj!’ Pena u përgjigj: ‘Çfarë të shkruaj?’ Ai tha: ‘Shkruaj dijen Time për krijimin Tim deri ditën e ringjalljes.’ Atëherë pena përshkoi atë që ishte urdhëruar.” Betimi për penën vijohet nga një tjetër, për atë që shkruajnë; dhe ndër ato që ata, pra Engjëjt, shkruajnë në Qiell me pena më të vogla, në rrasa më të vogla, është arketipi qiellor i Kur’anit, të cilit Shpalljet e mëpasme i referohen si recitim (kur’ān) në një rrasë të pacenueshme dhe si libri amzë. Dy betimet pasohen nga sigurimi Hyjnor:
Nūn. Pasha penën, dhe atë që shkruajnë, ti s’je kurrfarë i çmenduri, me hirin e Zotit tënd mbi ty, dhe e jotja do jetë një shpërblesë e padyshimtë; se vërtet, madhështore e ke natyrën.
Pas ardhjes së Mesazheve të para, pati një periudhë heshtjeje, gjersa Profeti nisi të druhej se mos kishte nxitur pakënaqësinë e Qiellit, ndonëse Hatixhja i thoshte vazhdimisht se kjo nuk ishte e mundur. Atëherë, heshtja më në fund u thye dhe mbërriti një sigurim tjetër, e bashkë me të i pari urdhër i drejtpërdrejtë i lidhur me misionin e tij:
Pasha ndriçimin e agimit, dhe natën kur është e prehur, Zoti yt s’të ka harruar e as nuk të urren, dhe e mbramja do të jetë për ty më e mirë se e para, dhe Zoti yt do të të japë e japë, e ti do të kënaqesh. A s’të gjeti jetim e të strehoi, të gjeti mënjanë e të udhëzoi, të gjeti nevojtar e të pasuroi? Kështu që jetimin mos e shtyp dhe lypësin mos e përzë, dhe hirin e begatë të Zotit tënd shpall!
Nuk ka komente:
Posto një koment