Hoxha Sabaudin Jashari
Pyetja se cili është zbritur, në Ramazan, për hatër të tjetrit, Kurani për hatër të agjërimit apo agjërimi për hatër të Kuranit, në aspektin formal nuk ka shumë rëndësi por me rëndësi është të dihet se ç’raporte kanë me njëri-tjetrin këta dy element shumë të dalluar të muajit të bekuar të ramazanit.
Allahu I Madhëruar thotë: “ … zemrat e tyre janë pushtuar nga veprat ( e këqija ) që bëjnë” Mutafifin 14.
Transmeton Imam Ahmedi ( Allahu e mëshiroftë ) nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s) ka thënë: “ Nëse shejtanët nuk do të hidhnin valle mbi zemrat e bijve të Ademit, bijtë e Ademit do të kishin soditur mbretërinë e qiejve."
Transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “ Kur njeriu bën një mëkat I bëhet një pikë e zezë në zemër. Nëse pendohet apo e pason mëkatin me një të mirë, i fshihet. Por nëse e pason me mëkate të tjera, për çdo mëkat i bëhet nga një pikë e zezë derisa t’i mbulohet e gjithë zemra e sakaq në zemrën e tij nuk mbetet asnjë dritare për të hyrë drita e hakut”
Transmetohet se Imam Shafiu ( Allahu e mëshiroftë e qoftë i kënaqur me të ) kishte memorie shumë të fortë saqë e memorizonte faqen me një të lexuar. Një ditë kjo aftësi iu venit. I shqetësuar shumë ankohet tek mësuesi i tij Vekiu. Eksperti i shpirtit, Vekiu nuk e pati të vështirë të diagnostikojë sëmundjen e SHafiut. Imam Shafiu ilaçin e Vekiut e përshkroi në poezi:
Iu ankova Vekiut se me memorie jam keq
Më këshilloi që nga gjynahet dorë të heq
Që dituria është dritë më mësoi më parë
E drita e Allahut s’dhurohet ndër gjynahqarë.
Kurani fisnik veç zbritjes, natën e kadrit, në bejt –ize dhe zbritjes mbi profetin Muhamed (a.s) ka edhe dy zbritje të tjera të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Bëhet fjalë për zbritjen e Kuranit në zemrën e njeriut e më pas në aktualitetin jetësor.
Kurani fisnik që udhëzon pafundësisht për tek çdo e mirë e kësaj dynjaje dhe të ahiretit është i përsosur e i mirësqaruar prej më të dijëshmit e më të urtit Allah. Sekreti i suksesit të bashkëveprimit me të dhe i përfitimit nga udhëzimi i tij mbetet gjithmonë gatishmëria e zemrës të cilës i duhet ta perceptojë drejtë, ta besojë thellë dhe të furnizojë me energji të mjaftueshme për të realizuar zbritjen e fundit, atë në aktualitet.
Argumentet e më sipërme sinjalizojnë fuqishëm se zemra, si enë e revelatës hyjnore, nëse ambienti I saj është I infektuar nga mikrobi I mëkatit nuk mund të jetë ambient I përshtatshëm për të mbajtur dritën e Allahut.
Natyrshmëria origjinale humane, si krijesë e përsosur e Allahut, është krijuar për të ndërtuar marrëdhënie harmonike e të natyrshme me revelatën hyjnore, Kuranin. Mozaiku shpirtëror human me prejardhje hyjnore është i përshtatur për tu përputhur totalisht me idenë e përsosur hyjnore, mirëpo mëkati që pushton sipërfaqe të këtij mozaiku bën që ideja hyjnore ose të mos gjej vend në të ose të mos përputhet ashtu siç duhet.
Allahu i Madhëruar njofton se: “ Ky është një libër udhëzues për të devotshmit”. Bekare. Pra është udhëzim për ata që pastërtinë e zemrave të tyre e kanë ruajtur nga ndryshku i mëkatit. Profeti (a.s) thotë: “ Takvaja, devotshmëria është këtu, dhe e bëri me shenjë tre herë në zemrën e tij”
Këtu lidhet, qartësisht, në mënyrë kushtëzuese përfitimi nga udhëzimi hyjnor me devotshmërinë. Ndryshe mund të thuhet, duke iu referuar ajetit dhe hadithit, se nuk mund të përfitojë nga ky udhëzim hyjnor përveç atij që zemrën e ka të mbushur me devotshmëri, pra që mbrohet nga mëkatet.
Allahu i Madhëruar na bën me dije se, që zemra e njeriut të jetë vazhdimisht e pastër për të bashkëvepruar me dritën hyjnore, zemrës i duhen mekanizma mbrojtës dhe ndihmës që ta ruaj vazhdimisht këtë gatishmëri. “O ju që keni besuar ju është bërë obligim agjërimi ashtu si atyre para jush që të bëheni të devotshëm” 183 Bekare
Jeta e besimtarit të devotshëm vazhdon edhe pas agjërimit të muajit të shenjtë. Pra vazhdon edhe pas arritjes së devotshmërisë, nëse e marrim të mirëqenë arritjen e këtij objektivi nga çdo besimtar. Sakaq nevoja e vazhdueshme e njeriut për udhëzimin hyjnor, gjatë rrugës së tij drejt kënaqësisë së Allahut, nxjerr në pah se një nga objektivat kryesor të agjërimit të muajit të bekuar të ramazanit është riaftësimi i njeriut për të ndërtuar marrëdhëniet e natyrshme me dritën hyjnore, Kuranin.
Këtë e nxjerr në pah, në mënyrë të tërthortë, edhe ajeti 185 i sures bekare: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë... “
Muajin e ramazanit na e prezanton Allahu i Madhëruar në kontekstin e prezantimit të zbritjes së Kuranit, udhëzues për te çdo e mirë. Më pas Allahu i Madhëruar urdhëron që të agjërohet ky muaj i Kuranit. Suksesi i këtij adhurimi realizohet vetëm atëherë kur plotësohen dy elementë kryesorë, njëri fizik e tjetri shpirtëror: I pari ka të bëjë me heqjen dorë nga ushqimi dhe epshet fizike. I dyti ka të bëjë me ruajtjen nga gjynahet. Pra nëse nuk realizohen të dy integritetet ai fizik dhe ai shpirtëror adhurimi i agjërimit nuk merret në konsideratë nga Allahu. Mirëpo në të njëjtën kohë të dy këto elementë janë më të domosdoshmit për të përfituar nga udhëzimi hyjnor. Pra Kurani nuk mund të perceptohet drejtë, besohet thellë dhe të mbartet për tu zbatuar nëse barku është i tejmbushur me ushqim, sepse truri nuk funksionon në rregull, dhe nëse shpirti është i ngarkuar me mëkate sepse nuk lejojnë që drita e Allahut të reflektojë ashtu siç duhet në pasqyrën e shpirtit.
Ajo që përforcon akoma dhe më tepër çka u përmend më sipër është fakti se Profeti (a.s) i kushton një rëndësi të veçantë leximit të Kuranit gjatë muajit të ramazanit. Transmeton Aishja (r.a) se Profeti (a.s) e përsëriste Kuranin me melekun Xhibril (a.s) çdo ramazan. Ndërsa në ramazanin e fundit të jetës së tij Profeti (a.s) e ka përsëritur dy herë Kuranin.
Pra mundësia e kuptimit dhe përjetimit të Kuranin në Ramazan, gjatë agjërimit, është më e madhe se në çdo kohë tjetër, për shkak se vëmendja e mendjes dhe e shpirtit janë më të ndezura ndaj Kuranit më shumë se kurdoherë tjetër, sepse trupi është më i lirë po ashtu edhe shpirti.
Rreziku i kryerjes së vazhdueshme të mëkateve konsiston, veç cenimit të pastërtisë së teuhidit, se zemra dhe shpirti i njeriut ambientohet me të keqen. Kjo gjë shkakton përmbysjen e standardit të mirës dhe të keqes. Thënë ndryshe natyrshmëria e pastër humane me burim hyjnor tjetërsohet dhe raportet e saj me të drejtën hyjnore përmbysen. Këtë ka si objekt edhe ajeti kuranor i sures Mutafifin që përmend “Ran” që ndryshe mund të thuhet ndryshku i punëve të këqija që pllakos zemrën dhe e izolon atë, siç e nxjerr në pah edhe hadithi i lartpërmendur i pikave të zeza në zemër të shkaktuara nga mëkatet. Më i drejtpërdrejtë në lidhje me këtë është ajeti 16 i sures Hadid ku Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur.”
Përsëritja e agjërimit të ramazanit, si obligim hyjnor i përvitshëm, është në nivelin e kësaj sfide të rrezikshme të pasojës së mëkatit. Profeti (a.s) thotë:”Agjërimi i ramazanit shlyen mëkatet që janë kryer mes dy ramazaneve ...” Pra agjërimi i një muaji të plotë i shoqëruar ngjitazi me elementin e namazit, leximit të Kuranit, sadekasë e të gjithë punëve të mira të motivuara nga bereqeti i sevapit të pafundëm që ka vënë Allahu në këtë muaj, të gjitha këto shërbejnë si një servis i mjaftueshëm për ta kthyer zemrën, shpirtin dhe natyrshmërinë humane në origjinalitetin e saj. Sakaq bashkëveprimit mes natyrshmërisë (fitra) dhe Kuranit i kthehet normaliteti dhe harmonia e duhur.
Zoti te shperblefte Hoxhe Sabaudin. Keto jane perkujtime te nevojshme per cdo besimtar. Lus Zotin te na e pranoje agjerimin tone e te na e beje ate pastrim nga gjynahet, amin!
PërgjigjuFshije