e shtunë, 27 gusht 2011

Mbi histerinë anti-turke

Besnik Sinani

Nuk është mirëfilli e ditur se çfarë pikërisht i ka kërkuar ministri turk i arsimit homologut kosovar, por një kërkesë për rishikimin e teksteve të historisë për të riparë pasazhe fyese ndaj popullit turk ka ngjallur një reagim të gjerë që tejkalon kritikën ndaj kërkesës së ministrit turk dhe ka marë formën e një histerie anti-turke. Historianë dhe tifozë historie patën rastin të flasin për pandryshueshmërinë e historisë dhe kjo mori një formë betimi rezistence ndaj pushtuesit.


Kërsesa e ministrit turk u paraqit si presioni shtetror i armikut historik ndaj shkencës historike. Së fundmi, ministri kosovar, Ramë Buja, u justifkua se kërkesa të tilla janë bërë dhe nga Bashkimi Evropian, si për të na treguar se megjithë paprekshmërinë dhe shenjtërinë e historisë kombëtare, disa kërkesa duhen konsideruar ndryshe nga disa të tjera. Por gjithsesi, ministri Buja, siguroi auditorin në parlament dhe publikun e gjërë se as “një profet nuk mund të na ndryshojë historinë”!

Sigurisht, formula interpretative për çfarë po ndodhte ishte e gatshme: neo – otomanizmi. Disa analistë e paraqitën gjithë këtë ngjarje si indikative e dilemës shqiptare për të zgjedhur midis Turqisë dhe Perëndimit apo ShBA. Ministri turk përfaqëson esencialitetin Osman që vjen të diktojë vilajetin. Imazhet tona identitare kolektive u thirrën si zanat që thirren në orën e ligë nga heronjtë tanë epikë për të dëshmuar dilemën dhe brengën tonë. Është mëse normale që ky të qe reagimi ndaj një sfide të tillë ndaj historiografisë tonë, sepse historiografia jonë, në një farë mënyre, ishte gatitur pikërisht për të na vlejtur për një ditë si kjo.

një shkrim të para dy viteve (Panorma, 17 Maj 2009), historiani Dritan Egro shkruan se në Ballkan historishkrimi “vazhdon ende të jetë një sipërmarrje me përgjegjësi të lartë politike; madje e tillë ajo do të vazhdojë të jetë përsa kohë që ende mbeten të pazgjidhura shumë çështje, legjitimiteti për zgjidhjen e së cilave kërkohet tek e shkuara historike” dhe se “historishkrimi vazhdon të shërbejë edhe sot si burimi rrënjësor i ideologjive dhe pretendimeve nacionaliste në të gjitha vendet e rajonit”. Historografia shqiptare, shkruan Prof. Egro, ashtu si e shteteve të tjera të Ballkanit, “u zhvilluan kryesisht si historiografi me doza të forta nacionaliste[…]”.

Historiografia nuk mund të jetë njëkohësisht shkencore dhe ideologjike, apo e porositur nga misioni nacionalist. Na shërben si ilustrim për këtë një shkrim i pak kohëve më parë i z. Ardian Klosi “Statutet e Shkodrës (shek XIV-XVI) – kujtesa historike e rigjetur”, ku ai komenton mbi përkthimin e historianit Pëllumb Xhufi. Sipas z. Klosi, historiani Xhufi ka ndryshuar totalisht fjalët që gjenden në original, ku banorët e Shkodrës dallohën nga “sllavët dhe shqiptarët”, pasazh i përkthyer nga Xhufi si “bujq dhe malësorë”. Me të drejtë, publicisti Ardian Vehbiu e sillte këtë si shembull të dëmit që i sjell “zotimi kombtarist” historianit.

Është interesante, gjithashtu, se teksa është bërë normale për këdo të shohë në raftet e librave të botimeve historike bashkëkohore në botë tituj të formuluar si “Një histori” e këti apo atij vendi, apo një ngjarjeje të caktuar, për të demonstruar se historiani e kupton se libri që ka shkruar është vetëm një nga disa mundësitë për të shkruar mbi temën që lëvron, reflektues i përzgjedhjes së autorit mbi burimet të cilat historiani i konsideron të rëndësishme, historianët tanë, autorët e teksteve shkollore që po bëjnë rezistencën ndaj kërkesës së qeveritarit turk, flasin për Historinë në formë të shquar, si i vetmi tregim i mundshëm, e vetmja e vërtetë e gdhendur në gur. Në mënyrën se si ata kanë formuluar këtë mbrojtje, në fakt, demonstruan më së qarti problemet metodologjike që informojnë historiografinë tonë.

Shqiptarët, ashtu si popuj të tjerë të Ballkanit, kanë vite që janë përballur me kërkesat për rishikimin e teksteve historike dhe prej kohësh Republika e Shqipërisë ka qenë në diskutime të tilla dhe me Greqinë. Historografia osmane ka disa dekada që po pëson një proçes revizionimi, që reflekton mendësitë dhe metodat e reja të shkencës së historisë. Kësisoj, nuk ka asgjë për t’u alarmuar nga kërkesa për rishikimin e teksteve shkollore të historisë. Nëse tekstet e historisë shkollore përmbajnë stereotipe për grupe etnike apo fetare, kategorizime negative që në vend që të edukojnë, nxisin paragjykime, atëherë duhen ndërmarrë rishikime të tilla jo si rjedhojë e kërkesës së një qeveritari të huaj, por të nxitur nga misioni edukues dhe parimet shkencore të pretenduara.

Përfytyrimet tona identitare, të shpalosura me bollëk këto ditë në faqet mediatike, treguan dhe njëherë për vizionet tona të mbyllura në esenca historike të tipit që kanë vite që janë diskretituar nga studime të mirëfillta. Histeria anti-turke e këtyre ditëve, ksenofobia jo dhe aq e fshehur, u energjizua nga pasionet nacionaliste për të na treguar dhe një herë jo thjesht nivelin e maturisë sonë, apo atë të emancipimit, por vetë ankthin që mund të prodhohet vetëm nga pasiguria identitare.

Nuk ka komente:

Posto një koment