E. Mërtiri
Regjistrimi fesë dhe etnisë, por edhe probleme të shumta me minoritetin grek në jug të vendit, kanë sjellë një rrije të sensibilitetit shoqëror ndaj marrëdhënieve me fqinjët dhe si rrjedhim, edhe ndaj çështjes kombëtare. Kjo ka bërë që të ketë edhe një rritje të vëmendjes politike në grupime të vogla, të cilat i shohin sentimentet nacionaliste tek një pjese e popullsisë si një mjedis të përshtatshëm për të bërë elektorat. Në fakt kjo vjen më tepër nga përjashtimi që politika shqiptare i ka bërë çështjes kombëtare, duke bërë që interesat kombëtare të mbeten thuajse të papërfaqësuara në politikë.
Nga ana tjetër ky realitet, ka bërë që të aktivizohen edhe zëra të ndryshëm të cilët shqetësohen nga një rritje e nacionalizmit në vend. Zëra të tillë i shohin me shqetësim reagimet nacionaliste. Sigurisht, rritja e emotivitetit në këto reagime lë vend për kritika, por, nga ana tjetër, zërat antinacionalistë, që synojnë të kundërveprojnë në mënyrë reaksionare ndaj sensibilitetit shoqëror për çështjen kombëtare, duken shumë pa vend. Rritja e sensibilitetit shoqëror ndaj çështjes kombëtare, jo vetëm që është e dobishme, por është jetike për një shoqëri me sfida të tilla siç është shoqëria shqiptare. Në këtë mënyrë, reagimet e këtyre opinionistëve, i shoh si problemin më të madh në këto zhvillime. Reagime të tilla përbëjnë një pengesë të rëndësishme për çlirimin e shoqërisë sonë prej indiferencës kolektive ndaj çështjes kombëtare, gjë që ka qenë edhe një prej shkaqeve kryesore që kanë sjellë epërsinë e faktorit antishqiptar në politikat brenda dhe jashtë shqipërie.
Në këtë linjë opinionisti Ermal Hasimja shkruante në një të përditshme një artikull me titull “Politika, streha e fundit e nacionalistëve”, ku synon të ngrejë shqetësimin e tij për rritjen e ligjërimit nacionalist gjatë kohëve të fundit. Kjo dukuri, sipas tij është problematike, ndër të tjera, për shkak përdorimit që mund t'i bëjë politika, e cila në fakt, është problemi më i madh i shqiptarëve, për shkak të korrupsionit dhe varfërisë që ka mbjellë në këtë shoqëri. Hasimja e konsideron nacionalizmin si strehën e diktatorëve të tillë si Hitleri apo Milosheviçi, ndërsa nga ana tjetër ai bën një dallim mes nacionalizmit dhe patriotizmit, duke mbrojtur këtë të fundit, si paqësor dhe emancipues. Problemi themelor i nacionalizmit sipas tij, është se ai e krijon unifikimin e identiteteve duke projektuar domosdoshmërisht armiq. Kështu, nëpërmjet armikut, nacionalizmi realizon unitetin shoqëror.
Autori nuk e përjashton mundësinë e ndikimeve greke në politikën shqiptare, por, sipas tij ato nuk mund të zgjidhen prej nacionalizmit. Nga ana tjetër autori nuk ngurron t'i quajë jothelbësore probleme të tilla, ndërkohë që shërbimin më të mirë të kombit ai e sheh tek “patriotizmi” i njerëzve të thjeshtë që bëjnë me ndershmëri punën e tyre të përditshme.
Do të përpiqemi shkurtimisht, të ofrojmë katër pika se përse kjo logjikë nuk qendron.
Se pari, e vërteta është se nacionalizmi ndryshe nga ç’pretendon z. Hasimja është projekti më i papërfaqësuar, madje mund të thuhet, krejtësisht i përjashtuar në politikën shqiptare. Nëse shohim programet e të gjitha forcave parlamentare, përjashto PDIU-në e cila është një forcë e re në parlament, asnjë prej tyre nuk ka një program të vërtetë që të adresojë problematikën e çështjes kombëtare. Pra, politika shqiptare, është një strehë njerke për nacionalizmin shqiptar. Nga ana tjetër, shqetësimi i z. Hasimja se paska një rritje të madhe të nacionalizmit në Shqipëri, duket krejtësisht pa vend dhe i tepruar, qoftë edhe për faktin që edhe në mitingjet më të suksesshme "antigreke" nuk janë mbledhur dot më shumë se qindra vetë, ndërkohë që kemi një nënshtrim total të politkës shqiptare përballë asaj greke dhe kjo nuk ka sjellë asnjë ndjeshmëri qytetare. Përkundrazi, shqiptarët vazhdojnë u japin votën dy partive kryesore, megjithëse ato janë akuzuar në vijueshmëri për të shitura në politikat antishqiptare greke. Shqetësimi i autorit për rritjen e nacionalizmit shqiptar, përballë një veprimtarie shumë të suksesshme të qarqeve ekstremiste serbe në jug të vendit do të thotë jo vetëm ta bësh qimen tra por edhe traun qime.
Së dyti, dallimi midis nacionalizmit dhe patriotizmit i bërë në shkrimin në fjalë, është krejt pa vend. Nevoja për të ndarë ekstremizmin nga atdhedashuria e natyrshme që ka dhe duhet të ketë çdo njeri nuk ka kuptim të detyrojë të kërkojmë diferencime termash, që në fakt, hollë-hollë nuk kanë dallim. Nëse i hyjmë një diskutimi të tillë, duke qenë se u dashka një dallim kuptimor mes nacionalizmit dhe patriotizmit, ku nacionalizmi i bie te jetë i keq dhe armiqësor, atëherë çfarë kuptimi mbetet për termin shovinizëm? Pra, nëse z. Hasimja gjykon nacionalistët të paaftë të bëjnë dallimin midis patriotizmit dhe nacionalizmit, atëhere atij i duhet të na bëjë dallimin midis nacionalizmit dhe shovinizmit. Nuk mund të pranohet prej dikujt që studion dhe jep mësim për shkenca politike të bjerë në një retorikë të tillë që synon të ofrojë definime terminologjike, duke i imponuar ato në mënyrë arbitrare. Dihet fare mirë që këto terma janë objekt debatesh e diskutimesh dhe nuk ka mbetur t'i ndajmë me trajtesa të tilla kategorike. Prej studiuesve të tillë pritet të kepërcejnë kurthin e fjalëve duke na u shërbyer me idetë që ndodhen përtej tyre, por jo të na mbyllin derën e dijeve duke i përdorur fjalët si brava. Termat janë konvencione dhe si të tillë nuk ka kuptim që dikush të marrë përsipër të prodhojë konvencion arbitrarisht, duke imponuar kuptimet e veta për fjalët, duke synuar që më pas t'i përdorë ato për të goditur një ideologji.
Së treti, të thuash se e keqja e Shqipërisë sot vjen nga korrupsioni dhe problemet shoqërore duke minimizuar problemet kombëtare që lidhen me veprimtarinë esktremiste greke, përbën një verbëri të pajustifikueshme. Konstatime të tilla prodhojnë retorikë e jo mendim, duke u orvatur ta burgosin debatin publik vetëm tek problemet e politikës së ditës, për të mos menduar për çështjet dhe interesat kombëtare. A thua e keqja në këtë vend qenka vetëm një, e nuk paska të tjera?! Fakti që politika në Shqipëri është e korruptuar dhe bëhet shkak që punët të shkojnë vërtetë keq në këtë vend, nuk përjashton mundësinë që politika greke ndaj Shqiperise të jetë vërtetë problematike. Nëse për z. Hasimja, problemi më i madh qenka kur fshesaxhinjte nuk e pastrojne mirë qytetin si pasojë e korrupsionit që ka kapluar shoqërinë shqiptare dhe jo fakti që jugu i vendit po mbushet me grekë artificialë që ndërrojnë gjuhën, identitetin dhe bindjet e tyre, për t'u rekrutuar si mercenare në një kauzë kriminale si "Vorio Epiri", kjo më duket se e bën autorin të ngjajë si ajo vajza e ndershme që krihet ndërsa Stambolli digjet. Kërkesat estetiko-higjenike nuk mund të jenë më të rëndësishme se ato të mbrojtjes së integritetit të vendit. Pra, shkrimi i z. Hasimja, me apo pa dashje, prodhon mosvëmendje ndaj politikave antishqiptare greke, dhe kjo është vërtetë problematike për një popull që përballet me kërcënime si shqiptarët.
Së katërti, është banale, por edhe djallëzore që, për të treguar nacionalizmin, t'i referohesh realiteteve e figurave të ndryshme negative të historisë njerëzore, të cilët e kanë përdorur atë në funksion të interesave të tyre politike. Nuk do shumë mend për të kuptuar se nacionalizmi nuk është i keq, pse Hitleri e Milosheviçi ishin kriminelë, apo pse Aleanca Kuq e Zi mund ta përdorë atë për të kapur llokmën e saj në Parlament. Në po të njëjtën mënyrë, kozmopolitizmi nuk mund të përfaqësohet nga Lenin e Stalini, për faktin se buron nga internacionalizmi i marksizmit. Idetë nuk mund të jenë të këqija, pse disa mbrojtës të tyre janë të tillë. Për më tepër nuk mund të godasësh një ideologji, thjesht për faktin se janë ca kopukë që po e përdorin për interesa të tyre.
Nuk ka komente:
Posto një koment