Ergys Mërtiri
Zhvillimet më të fundit në Shqipëri tregojnë për një rritje të ndjenjës së nacionalizmit, të cilën e ndeshim gjithnjë e më shpesh në jetën publike e shoqërore. Ndërgjegjia kombëtare duket në rritje në një masë të konsiderueshme, pavarësisht se, duke mos qenë e pjekur intelektualisht, dhe duke mos qenë e kultivuar siç duhet nga elitat, ajo mbetet ende e mjegullt dhe e pa artikuluar në termat e duhur, si dhe e pa adresuar në problematikën e nevojshme. Në këtë linjë, duket se edhe çështja çame po gjen gjithnjë e më shumë sensibilitet në Shqipëri, duke tërhequr vëmendjen e opinionit.
Krijimi i një partie politike çame dhe përmasat që ajo po merr si forcë parlamentare, janë vetëm sinjalet e një epoke të re për nacionalizmin shqiptar, e cila, pa dyshim ka mjaft gjasa të marrë zhvillime të rëndësishme, nëse shfrytëzohet siç duhet. PDIU-ja, duket se ka shumë shance të jetë një parti me peshë në Parlament, e cila mund të diktojë jo pak në politikën shqiptare, nëse e shfrytëzon siç duhet ndjeshmërinë publike që ka marrë përsipër të përfaqësojë. Mbetet të shihet nëse joshja e pushtetit dhe postet qeveritare do ta shfryjnë këtë hov dhe nëse kjo parti do të dijë të bëhet zëri i interesave kombëtare që mëton të përfaqësojë apo do të shndërrohet në një zgjatim të interesave të dy forcave të mëdha, që nuk kanë asnjë vullnet në këtë drejtim.
Ajo që duhet kuptuar, fillimisht nga vetë PDIU-ja, është se kjo parti nuk është një parti e çamëve për çamët, ashtu siç vetë çshtja çame nuk është e ekskluzivisht tillë. Ajo është një çështje mbarë shqiptare, dhe si e tillë ajo duhet trajtuar si një çështje kombëtare. Në fakt, si e tillë, ajo do të duhej të trajtohej me ndjeshmëri nga i gjithë spektri politik shqiptar, por, siç kemi parë në vijimsi, për politikën shqiptare, nuk ekziston një çështje kombëtare dhe rrjedhimisht as edhe ndonjë derivat i saj. I vetmi objektiv i shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare është integrimi në Europë dhe fqinjësia e mirë, gjë që do të thotë, “politikë e pasivitetit”. Si e tillë politika shqiptare, duket krejtësisht pa kurrfarë lidhjeje me ndonjë aspiratë realisht kombëtare. Shpërthimi elektoral i PDIU-së nuk përbën gjë tjetër vetëm se dëshminë e mungesës së një politike kombëtare në spektrin politik shqiptar.
Europianizimi konfliktual i Ballkanik
Gjatë luftës së Bosnjes filozofi francez Jean Baudillard konstatonte se ajo çfarë po ngjiste në Jugosllavi ishte një fazë e “zhvillimit të mëtejshëm të Rendit të Ri Evropian”. Sipas tij Serbia ishte “maja e heshtës së një Evrope në krijim e sipër”. Një vit më pas historiani zviceran Urs Altermatt, duke mbështetur këtë konstatim, shton se nuk kemi të bëjmë me një epokë të re, por me një vijimsi të asaj klime që polli kasaphanën e dy luftërave botërore të shek. XX. Sipas tij Europa nuk e ka kapërcyer aspak epokën e nacionalizmit shovinist dhe ndërkohë që Perëndimi vuan nga një valë ksenofobie, racizmi dhe populizmi që i bën europianët të “mbyllen në guackën e tyre” dhe të përjashtojnë të huajt, nga ana tjetër, Lindja po përshkohet nga një një valë e re nacionalizmi, e cila po turbullon rajonin. Sipas tij Ballkani është amplifikimi brutal i jetës së përditshme normale europiane, në të cilën gëlon etnocentrizmi dhe ksenofobia.
Të njëjtën gjë, shpreh edhe Ernest Gellner. Periudha nga lufta e dytë deri në rënien e komunizmit konsiderohet një periudhë ngrirjeje e aktivitetit nacionalist agresiv në Europën Perëndimore, por aq më shumë në atë Lindore. Lufta e ftohtë, që shërbeu si mjet unifikimi për perëndimin, por edhe internacionalizmi socialist dhe utopia e “njeriut të ri” për lindjen, ishin një pause për shovinizmin nacionalist në të dyja kampet. Sipas Gellnerit, rikthimi i nacionalizmit agresiv në të gjitha vendet komuniste, fill pas rënies së tij, vjen si shkak i boshllëkut moral e ideologjik të mbetur prej komunizmit, i cili pas rrënimit, la në ndërgjegjen e këtyre shoqërive vetëm humnerën ku u gremis. Gellner shpjegon se ky boshllëk bëri që pas rënies së komunizmit nacionalizmi radikal të rikthehej me të njëjtin zjarr në Evropën Lindore, gjë që nuk e ndeshim në vendet e Lindjes së Mesme. Sipas Altermat, kjo vërehet, në faktin që menjëherë sa shpërtheu konflikti në Jugosllavi, u rishfaqën me përpikmëri edhe njëherë modelet e vjetra me të njëjtat skema: Gjermanët morën nën mbrojtje Kroacinë, francezët Serbinë. Duket sikur asgjë nuk ka lëvizur gjatë kaq viteve. Gjërat u rrokullisën po aq keq sa në fillim të shekullit dhe u desh ndërhyrja e amerikanëve që situata të vihej sadopak nën kontroll. Por sidoqoftë, gjithçka duket e hapur dhe të gjitha vendet shpresojnë të realizojnë aspiratat e tyre, të cilat, në fakt, përmbushen gjithmonë në kurriz të njëri-tjetrit.
Shkombtarizimi i shtetit
Natyrisht, problemet në Ballkan dhe rikthimi në plagët e vjetra vijnë për shkak se Ballkani i sotëm politik nuk është gjë tjetër vetëm se pjellë e një ngërçi që shoqëroi dy luftërat botërore, i cili kompozoi një rajon pa lidhje me realitetin e vërtetë, një territor i konfiguruar, jo mbi ndonjë normë a parim të drejte, por thjesht mbi lojën e ekuilibrave të brishtë të Europës së fillim-shekullit më të çekuilibruar në historinë e njerëzimit.
E gjithë kjo shpjegon një pjesë të mirë të problemeve në Ballkan dhe faktin që shovinizmi vijon të jetë ende aktiv në një pjesë të mirë të rajonit. Megjithatë, duket se politika shqiptare është krejtësisht e paralizuar për të kryer veprimet e duhura ndaj një realiteti të tillë. Prej shumë vitesh, e vetmja linjë e kësaj politike duket se është bindja ndaj udhëzimeve që vijnë nga faktori ndërkombëtar, dhe kjo na ka bërë të jemi gjithmonë shumë hapa prapa shanceve që na jep koha dhe rrethanat. Ne presim nga një Evropë që nuk të jep, të paktën po nuk i kërkove. Ne presim, të na thonë çfarë dhe kur të kërkojmë.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me qendrimet e Tiranës zyrtare gjatë trazirave në Kosovë dhe shfaqjes së UCK-së, e njëjta gjë ka ndodhur edhe gjatë periudhës së përcaktimit të statutsit të Kosovës, e po ashtu e njëjta gjë ka vazhduar të mbizotërojë në mënyrë permanente ndaj politikave shoviniste greke, të cilat, në mënyrë të përsëritur krijojnë incidente të patolerueshme nga asnjë shtet sovran, në Jug të vendit. Ironia është se minoriteti grek në Shqipëri, prej dy dekadash gëzon pronësi mbi toka shqiptare, të falura këto nga shteti shqiptar, nëpërmjet ligjit të famshëm 7501, duke i lënë të grabitur trashëgimtarët e vërtetë shqiptarë të atyre trojeve, ndërkohë që komuniteti çam nuk lejohet as të kalojë kufirin për të vizituar vendin e vet. Këta qytetarë, me pasaportat e tyre kanë të drejtë të shkelin çdo cep të Europës, përveç vendit të tyre.
Natyrisht kjo mendësi nuk sjell absolutisht një klimë të shëndetshme për paqen në rajon dhe, kjo nuk mund të vazhdojë gjatë. Paqja nuk mund të garantohet nga indiferenca e qeverive shqiptare ndaj të drejtave të shtetasve të saj, e as nga politika jonë pasive e fqinjësisë së mirë me fqinjë të këqinj, të cilët, si për të mos u mjaftuar me politikat e tyre kanë edhe një “ligj lufte” me ne. Ajo kërkon drejtësinë, si të vetmin mjet për zbutjen e problemve, dhe nga ana tjetër, kërkon dënimin e çdo angazhimi që cënon sovranitetet aktuale, siç bën rregullisht Greqia në jugun Shqiptar.
Çështja çame është njollë ende e freskët dhe e pashlyer në ndërgjegjen morale të Europës, e cila nuk mund të shlyet duke e mbajtur fshehur. Qeverisë shqiptare, ashtu si edhe çdo aktori tjetër politik, i takon të sensibilizojë faktorët ndërkombëtarë për tragjedinë çame e cila duhet të meritojë njohjen që i takon, si dhe vendosjen e drejtësisë. Koston financiare Greqia mund ta paguajë lehtësisht, thjesht duke ndërprerë për ca kohë pensionet falas që u jep himariotëve shqiptarë të konvertuar në vorio-epiriotë. Ashtu siç Turqisë i duhet të ndeshet me presione nga më të larmishmet për njohjen e “genocidit armen”, Greqia ka shumë më tepër arsye të jetë nën presion për ta bërë këtë. Shqiptarët sot kanë shumë më tepër forcë për ta detyruar Greqinë të mos tallet me viktimat e saj. Iluzioni i varësisë sonë ekonomike prej Greqisë nuk qendron aspak. Varësia jonë ndaj Greqisë është vetëm politike dhe ajo duket në nënshtrimin e plotë të shtetit shqiptar ndaj interesave të saj. Për këtë arsye, është e domosdoshme që shoqëria shqiptare të sensibilizohet, duke e orientuar votën e saj mbi premisa kombëtare. Vetëm në këtë mënyrë, ajo do të mund të ketë një shtet të vetin, në funksion të aspiratave të saj. Në këtë drejtim, çështja çame, duket se është çelësi për të hapur bravën e portës së një shteti hermetik ndaj interesave të veta.
_________________________
Botuar në revistën “Shenja”
Nuk ka komente:
Posto një koment