E. Mërtiri
Një kërkesë e Ministrit turk të Arsimit për rishikimin e teksteve shkollore, të cilat, sipas tij, përmbajnë fyerje për Turqinë dhe Perandërinë Osmane ka ndezur reagime të ashpra tek historianë dhe politikanë të ndryshëm në Kosovë dhe Shqipëri. Reagimet nga bota akademike kanë qenë të shumta dhe nuk kanë munguar tonet e ndezura emocionale, gjë që përbën vërtetë një paradoks ku ia vlen të ndalesh.
Duhet thënë se reagime të tilla emocionale, në gjuhët e akademikëve, nuk janë në përputhje me rolin e intelektualit, i cili prezupozohet të përfaqësojë maturinë dhe kthjelltësinë e një shoqërie. Eshtë shqetësuese kur, krejt në të kundërtën, shikon akademikë të flasin me parrulla dhe brohoritje që nuk kanë asnjë lidhje me profilin e akademikut. E gjithë kjo pengon që debati të bëhet i dobishëm në funksion të ndërgjegjes së duhur shoqërore. “Krejt botën e japim, Skënderbeun s’e japim”, - shprehet historiani Hakif Bajrami për gazetën Express duke të krijuar përfytyrimin e një ultrasi që bërtet nga shkallët e stadiumit.
Deri tani, dimë vetëm që pala turke është shprehur për nevojën e eleminimit të fyerjeve në tekstet shkollore dhe nuk kemi parë askund se per çfarë bëhet fjalë në hollësi. Për këtë arsye, logjika e do që historianët të presin fillimisht të njihen me pikat konkrete të kontestimeve turke dhe pastaj të fillojnë të këndojnë “Për mëmëdhenë”.
Megjithatë, i gjithë thelbi i këtij debati, në mënyrë hipotetike është ngritur mbi diskutimin nëse duhet ti themi pushtim apo jo sundimit osman. Pa ditur edhe nëse ky diskutim është apo jo në kërkesat e qeverisë turke për retushim, përsëri, ajo që mund të themi është se historianët shqiptarë shfaqin probleme serioze qoftë edhe në logjikën formale në diskutimet e tyre, e le pastaj në gjykime më të hollësishme metodologjike. Disa prej tyre përpiqen të argumentojnë se sundimi osman ka qenë pushtim nëpërmjet kapërcimeve arbitrare logjike sipas të cilave, nëse nuk ishte pushtim atëherë Skënderbeu nuk na del hero kombëtar por antikombëtar. Sipas kësaj logjike, Skënderbeut i bie të jetë ose kombëtar ose antikombëtar, nuk ka rrugë të tjera, në përputhje me logjikën mesjetare kua ai jetoi dhe veproi. Nga ana tjetër, kjo logjikë pohon se meqe tashmë e kemi vendosur që Skënderbeun ta njohim për simbol kombëtar, atëherë medoemos edhe armiqtë e tij duhet të jenë pushtues, dhe duhet doemos të nxirren gjithashtu nga konteksti i kohës.
Në thelb, reagimet janë ngritur mbi parimin se historia është shkencë dhe si e tillë nuk mund të ndërtohet prej politikës. Ata e paraqesin këtë si shtrembërim të shkencës, për qëllime politike. Historiani Selim Daci, shprehet se historia duhet të shkruar duke u bazuar në burime dhe fakte dhe se konteksti historik nuk mund të ndryshohet, përjashto vetëm ngjarje ose data të caktuara, nëse zbulohen fakte të reja.
Parë nga kjo pikëpamje gjithçka është e drejtë, por problemi nuk është kaq i thjeshtë.
Së pari, duhet të kuptojmë se nuk bëhet fjalë për historinë, por për tekste shkollore, të cilat lidhen me edukimin e fëmijëve dhe jo me diskutime mbi të vërtetat shkencore. Edukimi i fëmijëve, natyrisht që është në dorë të shtetit dhe shteti ka të drejtë të ndërhyjë që ky edukim të jetë i shëndetshëm dhe të mos kultivojë urrejtje ndaj popujve të tjerë.
Së dyti, parimisht, do të mund të themi se çdo qeveri, ka të drejtë të kërkojë nga një vend tjeter, për më tepër nga një vend mik, që të mos lejojë fyerje ndaj vendit të saj, në tekstet mësimore të arsimit publik. Deri këtu, gjithçka është në rregull, dhe mbetet të njohim pikat konkrete se ku është propozuar të ndërhyehet, në mënyrë që të kemi mundësi të gjykojmë nëse kërkesat janë të drejta apo jo.
Se treti, duhet thënë se shteti nuk mund të jetë indiferent ndaj veprimtarisë intelektuale në vend, dhe ai ka të drejtë të mos lejojë që institucionet akademike të shndërrohen në vatra të përhapjes së urrejtjes etnike. Askush nuk mund të mendojë se institucionet akademike qenkan të imunizuara nga politizimi dhe përdorimi i shkencës për interesa të ndryshme. Dhe e vërteta është se, sidomos në Ballkan, institucione të tilla nuk kanë qenë kurrë 100 përqind objektive, të paindoktrinuara dhe të pandikuara nga veprimtari apo interesa politike. Nëse me depolitizim kuptojmë vetëm pavarësi nga shteti, kjo do të thotë se drejtuesit e këtyre institucioneve nuk kanë kuptuar ende natyrën e marrëdhënieve që krijojnë institucionet e tyre.
Nga ana tjetër, juridikisht, nëse veprimtaria shkencore e këtyre insitucioineve rezulton me precedentë antikushtetues, shteti ka patjetër të drejtë të ndërhyjë për të rivendosur kushtetutshmërinë e tyre. Në thelb, çdo institucion, sado i pavarur të jetë, është ngritur mbi një themel konstitucional politik, dhe si i tillë, ai nuk mund të jetë një shtet brenda shtetit.
Së katërti, ajo që është më e rëndësishme, është fakti që historianët shqiptarë ende nuk kuptojnë që historia nuk është një shkencë ekzakte, për tu trajtuar si një dije që ofron të vërteta të padiskutueshme. Ajo që thotë Selim Daci, se historia mund të ndryshojë vetëm ngjarje ose data të caktuara, kur zbulon fakte të reja, është një gjë pikëpamje krejtësisht e vjetëruar, e cila nuk merr në konsideratë teoritë moderne mbi shkrimin e historisë, të paktën që prej gjysmës së dytë të shek. XX e këtej, por sigurisht edhe më herët.
Mund të thuhet se sot ka një unanimitet në rrethet e studiuesve në lidhje me subjektivitetin mbi të cilin shkruhet historia. Gjithashtu teoritë moderne kanë ofruar prej vitesh një kritikë ndaj konceptimit të historisë si një shkencë që bazohet mbi vetëm në diskutime mbi vërtetësinë e fakteve, siç shprehet z. Daci. Që pas viteve ’50 ka patur një zhvendosje të fokusit metodologjik e konceptual në shkrimin e historisë nga cilësia e burimeve drejt narrativës, e cila tashmë shihet si faktori dominues në mënyrën sesi interpretohen faktet. Pra, tashmë peshën më të madhe në mënyrën sesi shkruhet historia nuk e ka thjesht saktësia e fakteve, por interpretimi dhe renditja e tyre, mënyra sesi ato rrëfehen. Pra procesi i njohjes dhe kuptimit të historisë, është një proces ku e kaluara prodhohet, nisur prej të tashmes. Procesi i prodhimit të historisë është një proces seleksionimi dhe interpretimi mes fakteve.
Sipas studiuesve modernë (të cilët historianët tanë nuk i njohin, për shkak se përfaqësojnë një shkollë të vjetëruar) historia nuk është e kaulara në mënyrë tëdrejtpërdrejtë dhe objektive, por një rrëfim rreth të kaluarës apo një përkthim i saj. Për këtë arsye, studiuesit thonë se nuk mund të ketë një të vërtetë përfundimtare, por gjithmonë do të kemi pluralitet. Kjo nuk do të thotë të biem në relativizëm total, por kjo synon të emancipojë mendimin nga kërkesa për të vërteta absolute, si ato që ofrojnë masivisht historianët shqitparë, të cilat eleminojnë rolin e mendimit kritik. Kjo vjen pasi historia konceptohet si një proces në një rrjedhë të vazhdueshme transformimi. Për këtë arsye shumë studiues gjejnë shumë ngjashmëri mes historisë dhe ideologjisë. Mosnhjohja e këtyre teorive nga historianët shqiptarë shpjegon edhe përse studimet shqiptare janë kaq të prapambetura, të cilat shpesh janë vënë vërtetë në sprovë nga studiues të huaj.
Kjo mungesë objektiviteti konstatohet edhe në fjalët e z. Daci, i cili për të mbrojtur tekstet shkollore të hartuara nga historianët shqiptarë, shprehet se këto tekste janë bazuar në faktet dhe burimet e dhëna nga historianët francezë, gjermanë, anglezë... Në të njëjtën mënyrë historiani Frashër Demaj shprehet se nuk mund ti ndryshojë faktet për hir të interesave të politikës së ditës, ndërsa sqaron se “rishkrimi i testeve shkollore, veçmas të historisë, është bërë në frymën evropiane”.
Në një kohë kur, historianët shqitparë kërkojnë mosndërhyrjen e politikës turke në punët e shkencës, ata dëshmojnë me gojët e tyre se vetë ata nuk janë të pavarur dhe objektivë në këndvështrimet e tyre. Pra faktet qenkan parë në një frymë të ckatuar dhe nuk qenkan faktet, por fryma që vendos sesi do të shkruhen tekstet mësimore. Në njëfarë mënyre, mesazhi që z. Demaj po synon të përcjellë është se, përballë frymës turke osmane, historia e Kosovës i ka parë faktet sipas frymës europiane. Kemi të bëjmë pra me një gjykim të ngritur mbi një dialektikë që synon ti japë legjitimitet subjektivitetit të vet, nëpërmjet klisheve popullore orientaliste, ku Europa është ajo që di gjithmonë të vërtetën. Pra, shkencë është ajo që bën perëndimi dhe rrjedhimisht fryma perëndimore është ajo që e bën objektive historiografinë shqiptare. Po ti shtosh kësaj edhe pohimin e z. Daci, që Skënderbeu është hero kombëtar, edhe për faktin se mbrojti Evropën, na del se ky përfytyrim buron pikërisht nga një mentalitet i tillë krejtësisht ideologjik dhe i politizuar. Perëndimi përballë lindjes, Skëderbeu është me Europen (civilizimin) dhe ne jemi me Europën, ndërsa qeveria turke po përpiqet të mbahet pas lindjes duke u pozicionuar në kahun e barbarëve.
Natyrisht nuk është vendi këtu të ndalemi për të trajtuar se çfarë është në të vërtetë fryma evropiane, dhe se si e trajtojnë Perandorinë Osmane studiuesit e sotëm perëndimorë (gjë që në fakt është krejtësisht e kundërt me ketë që shfaqin historianët shqiptarë), por ajo çfarë nuk mund të mos vërejmë është turbullia e madhe teorike e akademikëve shqiptarë. Kjo duket edhe në faktin se asnjë përkufizim dhe asnjë përcaktim teorik se çfarë konsiderohet pushtim nuk jepet prej tyre, ndërkohë nuk arrijnë as të bëjnë të paktën dallim midis mesjetës dhe modernitetit në përcaktimin e termave të tillë.
Ta përcaktosh Skënderbeun në terma kombëtarë, siç bën z. Daci një kohë kur kombi ka qenë një koncept krejtësisht i panjohur në atë kohë, do të thotë, ta vendosësh historinë e mesjetës në zemër të ballkanit të shek. XX. Pra, Skënderbeu ishte kombëtar, sepse i shërbeu identitetit kombëtar, 500 vjet më pas, ndaj dhe turqit ishin okupatorë, sepse ishin kundër asaj hapësire gjeopolitike ku ne aspirojmë të integrohemi sot pas 600 vjetësh. Nga kjo kuptohet se jemi shumë larg objektivitetit shkencor të pretenduar dhe se historia shqiptare, më shumë se një panoramë për të kaluarën, është një projektim tek ajo, i kuptimeve të së tashmes dhe i vizionit politik që sot kemi për të ardhmen.
Nuk ka komente:
Posto një koment